Sa herë që i jepet mundësia, Bruno Fernandes përsërit se fakti që tani është pjesë e Manchester United, për të është një ëndërr e bërë realitet. Mesfushori portugez ka fituar pëlqimin e të gjithëve në ‘Old Trafford’, duke patur një impakt të madh në lojën e ‘djajve të kuq’ që në minutat e tij të para në fushën e lojës. Në fakt, 25-vjeçari e priste prej shumë kohësh transferimin e tij tek Manchester United, pasi klubi anglez kishte shfaqur interes për shërbimet e tij që përpara 2 sezonesh, por drejtuesit e Sportingut të Lisbonës kanë rezistuar ndaj ofertave të ‘djajve të kuq’, me qëllimin për të përfituar sa më shumë nga shitja e lojtarit. Vetë Fernandes ka zbuluar se si reagoi kur mori vesh se kalimi i tij tek Manchester United ishte një mundësi konkrete. Portugezi tregoi se mori një telefonatë që i konfirmoi interesimin e klubit anglez dhe menjëherë pas kësaj, lojtari ka biseduar me familjarët e tij, teksa ishte i përlotur. 25-vjeçari e përshkruan si një nga momentet më të bukura të jetës së tij, pasi kishte punuar çdo ditë përtej limiteve, pikërisht për të tërhequr vëmendjen e Manchester Untied e për të bërë realitet ëndrrën për të luajtur në ‘Old Trafford’. Bruno Fernandes u transferua tek skuadra e ‘Premier League’-ës gjatë janarit të këtij viti, kur Manchester United vendosi të paguante 55 milionë euro në arkat e Sportingut të Lisbonës. Në 5 ndeshjet që portugezi ka zhvilluar në radhët e ‘djajve të kuq’, përpara se futbolli të ndalej, ai ka qenë protagonist absolut në fushën e lojës, madje duke shënuar 2 gola e duke shërbyer 3 asiste për shokët e ekipit.