Bruno Fernandes u përgjigjet kritikave, thotë se vetëm De Bryune ka statistika më të mira për golat!

Sport

Bruno Fernandes ishte padyshim ylli i sezonit për skuadrën e Manchester United. Portugezi ka patur një impakt të jashtëzakonshëm në lojën dhe rezultatet e ‘Djajve të kuq’.  Në 22 paraqitje me fanellën e Manchester United, mesfushori ia doli të realizonte 12 gola, si dhe të shërbente 8 asiste për shokët e skuadrës.

Por së fundmi, disa e shohin të mbivlerësuar portugezin sa i përket angazhimit në gola, me arsyetimin se pjesa më e madhe e tyre kanë ardhur nga pika e bardhë e penalltisë. Madje edhe trajneri i Tottenham, Jose Mourinho i mbështeti këta zëra, duke përmendur faktin se ‘djajtë e kuq’ janë favorizuar ndjeshëm me penalltitë gjatë sezonit të fundit.

Në fakt, Manchester United vendosi një rekord me plot 14 penallti të akorduara në favor, diçka që nuk kishte ndodhur në asnjë nga pesë kampionatet kryesore të Europës. Vetë Bruno Fernandes gjithsesi e sheh si diçka mjaft pozitive faktin që ekzekuton si duhet 11-metërshat. Jo çdokush ka guximin për ta marrë përsipër diçka të tillë.

Ndërsa sa i përket përfshirjes së tij në golat e Manchester United, 25-vjeçari u shpreh se përveç Kevin De Bryune të Manchester City, asnjë mesfushor tjetër në ‘Premier League’ nuk është përfshirë në aq shumë gola sa ai.

Në fund, lojtari i ‘Djajve të kuq’ e mbylli që për të nuk ka rëndësi se sa gola shënon apo asiston, objektivi i tij është  të ndihmojë skuadrën të arrijë rezultate sa më të mira. Edhe Mourinho, e ka lavdëruar Bruno Fernandes si një nga më të mirët në botë në rolin e tij, duke e veçuar si një nga pikat kryesore të Manchester United edhe për sezonin e ardhshëm.