Ëndrra e Bruno Fernandes për të luajtur në ‘Premier League’ me fanellën e Manchester United më në fund do të realizohet, me mesfushorin portugez që braktisi Sportingun e Lisbonës për të kaluar në ‘Old Trafford’, në një operacion që kushtoi plot 55 milionë euro. 25-vjeçari pranoi se e kishte pritur prej shumë kohësh këtë lëvizje, ku zbuloi se një nga arsyet që e bëri të zgjedhë Manchester United përpara alternativave të tjera, ishte edhe fakti që dikur, me ‘djajtë e kuq’ ka luajtur edhe Cristiano Ronaldo. Bruno Fernandes tha se e ka parë gjithmonë Ronaldon si një idhull dhe si një model që duhet ndjekur. Për këtë arsye, ai ka kërkuar me ngulm të transferohet tek Manchester United. Tek 20 herë kampionët e Anglisë, Bruno Fernandes do të vihet përpara një përgjegjësi të madhe, pasi shihet si një nga ata lojtarë që mund të rikthejë stabilitetin në arritjen e rezultateve të mira. Portugezi u shpreh në intervistën e tij të parë si lojtar i United se do të përpiqet të bëjë maksimumin dhe të shkruajë emrin e tij në historinë e klubit anglez.
Një prapaskenë interesante është se përpara transferimit në ‘Old Trafford’, Bruno Fernandes kishte biseduar fillimisht me Cristiano Ronaldon, që i kishte thënë vetëm fjalë të mira për klubin angelz. Por të njëjtën gjë kishte bërë edhe trajneri i United, Ole Gunnar Solskjaer, që përpara se të fillonin bisedimet me Sportingun e Lisbonës në faza të avancuara, kishte biseduar pikërisht me CR7-ën rreth cilësisë së Bruno Fernandes. Manchester United ka ndjekur prej thuajse 1 viti e gjysmë Bruno Fernandes, të cilin Sportingu nuk lejoi të largohej pa një ofertë të mirë. Por në fund ka qenë ndërhyrja e agjentit Jorge Mendes, i cili ka bërë realitet këtë lëvizje të 25-vjeçarit në ‘Premier League’ për një shifër të përballueshme nga ana e klubit anglez.