Bruno Fernandes zhvilloi një nga sezonet më të mira të karrierës me fanellën e Sportingut të Lisbonës dhe kjo sigurisht që nuk ka kaluar pa u vënë re. Mesfushori portugez pritet që gjatë kësaj vere të bëjë hapin e madh të karrierës, me Manchester United që shihet si destinacioni i tij i ardhshëm. Megjithatë, vetë 24-vjeçari duket se ka lënë çdo gjë në dorë të drejtuesve të Sportingut dhe presidentit Frederico Varandas. Në një intervistë të shkurtër, Fernandes u shpreh thjesht se do t’i pëlqente të luante në Angli, por të ardhmen e tij do ta vendosë vetëm skuadra e Sportingut. Sipas asaj që raportojnë mediat portugeze dhe spanjolle, që Manchester United të kompletojë transferimin e Bruno Fernandes, duhet që të paguajë në arkat e Sportingut minimalisht 70 milionë euro.
Gjatë sezonit të shkuar, mesfushori 24-vjeçar zhvilloi plot 53 ndeshje në të gjitha kompeticionet. Ai shënoi plot 32 gola dhe ishte protagonist edhe me 18 asiste, çfarë e bënë Fernandes si një nga profilet më interesante për mesfushën. Presidenti i Sportingut, Varandas ka lajmëruar drejtuesit e Manchester United, por edhe të skuadrave të tjera të interesuara për Bruno Fernandes se nuk do të jetë e thjeshtë për të marrë shërbimet e mesfushorit. Shpesh nëpër media është folur se 24-vjeçari mund të largohet për një shifër që varion nga 55 në 62 milionë euro, por presidenti Varandas ka hedhur çdo gjë poshtë, duke konfirmuar se duhet një ofertë mbi 70 milionë euro për ta lënë të lirë Bruno Fernandes.