Brugge-Gallatasaraj, Terim ka besim te Falcao

Sport

Philippe Clement (trajner i Brugge): “Nëse fitojmë këtë ndeshje do të hidhnim një hap të madh përpara, drejt objektivit tonë për të përfunduar grupin mbi Gallatasarajin. Por, nëse humbasim, atëherë na presin edhe 5 ndeshje të tjera të bukura për t’u luajtur. Ka shumë fjalë nga mediat se kjo sfidë është njëra prej atyre që duhet ta fitojmë patjetër. Por mënjanohet fakti që ne jemi skuadra e parë belge që kualifikohemi për fazën e grupeve, pa qenë kampionë. Kjo është një zotësi. Mirëpo, sigurisht që duam më tepër”.
Hans Vanaken (mesfushor i Brugge): “Jemi tepër pozitivë në lidhje me këtë aventurë të rëndësishme që po nisim në Champions League. Kemi mjaft përvojë në futbollin evropian, përfshi edhe lojtarët që kanë ardhur këtë sezon. A është një ndeshje që duhet fituar patjetër? Mund të them se kjo është një fjalë e madhe. Të gjithë janë të mendimit se jemi në garë me Gallatasarajin për të zënë vendin e tretë në grup, por duhet ta marrim gjithcka, ndeshje pas ndeshjeje”.
Fatih Terim (trajner i Gallatasarajit): “Brugge e filloi sezonin me afrimin e portierit Mignolet, një kampion i Europës me Liverpool. Bëhet fjalë për një skuadër që ndërthur futbollistët me përvojë dhe ata të rinjtë. Mbi të gjitha kanë sulmues të rrezikshëm, prandaj na duhet të jemi të kujdesshëm. Janë klube me një kulturë të ngjashme futbolli. Kështu që nëse Brugge dëshiron ta nisë me një fitore, të njëjtën gjë duam edhe ne. Kemi afruar futbollistë tepër cilësorë. Në sulm morëm edhe Falcon, që mendoj se mund të na japë shumë me eksperiencën e tij”.
Babel (sulmues i Gallatasaraj): “Të gjithë po e presin me entuziasëm këtë ndeshje të parë të fazës së grupeve të Champions League. E gjithë skuadra është përgatitur më së miri. Edhe lojtarët që kanë ardhur këtë sezon mund të them se janë ingranuar me skuadrën. Gjithsesi nuk mund të mohohet se ndoshta do të kemi nevojë për pak kohë, derisa të kolaudohemi më së miri në mënyrë që shprehim atë që kërkon trajneri. Megjithatë sot duam të fitojmë”.