Sulmuesi shqiptar që është pjesë e klubit të Chelsea-t, Armando Broja është stërvitur me ekipin e parë londinez në prag të super sfidës me Liverpoolin për raundin e 1/16-ve të FA Cup. Talenti 18-vjeçar shqiptar, së bashku me futbollistin tjetër të akademisë së Bluve, Tino Anjorin janë stërvitur me ekipin e parë. Paraqitjet e jashtëzakonshme me të gjitha ekipet e moshave dhe golat e vazhdueshëm i janë shpërblyer sulmuesit shqiptar
Mesa duket, fakti që në ndeshjet e fundit Chelsea ka shfaqur probleme të mëdha edhe në repartin e avancuar ka bërë që Lampard ta thërrasë sulmuesin shqiptar në skuadër, ndoshta për t’i dhënë shansin e debutimit. Teksa një ftesë nga tekniku i ekipit të parë kishte kohë që përflitej nga mediat angleze.
Broja është një nga talentet më premtues të sektorit të të rinjve, teksa ka shënuar 18 gola në 30 ndeshje me ekipet e të rinjve. Disa javë më parë ai firmosi kontratën e parë si profesionist, në një kohë kur klube të shumta europiane kishin shfaqur shumë interes në drejtim të tij.
Lampard nuk ka pritur më gjatë për ta afruar Brojën me ekipin e parë. Trajnerit të bluve të Londrës, mesa duket, i ka pëlqyer ajo çfarë ka parë në “Stamford Bridge” fundjavën e shkuar, ku në çerekfinalen e FA Cup mes Chelsea U-18 dhe Millëall U-18, ishte pikërisht Broja që vendoste fatet e takimit. Madje, një gol me roveshatë u mohua nga arbitri, ndërsa tjetri që pati pikërisht firmën e shqiptarit, do të zgjidhte edhe ndeshjen.