BROJA RISHKEL FUSHEN ME CHELSEAN, POR SHQETESON CIKALLESHI

Sport

Armando Broja rishkeli të dielën sërish fushën e lojës për një ndeshje zyrtare, pas një mungese prej 287 ditësh. Ai u aktivizua nga trajneri Pochettino në minutën e 79-të të ndeshjes së Premier Ligës përballë Aston Villas, por as shqiptari nuk arriti të ndihmonte në shmangien e humbjes së radhës që “blutë e Londrës” pësuan 1-0. Por gjithsesi, Armando Broja duket më energjik se kurrë pas rikthimit nga dëmtimi. Gjë që e shprehu përmes një postimi në profilin e tij zyrtar ku shkruajti “Është vetëm fillimi”. “Natyrisht nuk ishte ky rezultati që prisnim… Por çfarë ndjesie e pabesueshme dhe emocionale të kthehesh në fushë pas kaq shumë muajsh. Faleminderit për mbështetjen të gjithë atyre që punuan për rikthimin tim”, shkruajti sulmuesi i Kombëtares shqiptare.  Pas kësaj sfide, foli dhe trajneri i “Bluve të Londrës”, Mauricio Pochettino, i cili mendon se Broja do kohën e tij, megjithëse “Ishte mirë të shikoja sërish Armandon në fushë pas 9 apo 10 muajsh, sepse na jep mundësinë të kemi opsione të ndryshme për ekipin. Ndonëse për Pochetinon, tashmë Brojaduhet të rindërtojë besimin e tij. Rikthimi i sulmuesit është një lajm i mirë edhe për Sylvinhon, me teknikun që mësohet se ka udhëtuar në Londër për të takuar e biseduar direkt me lojtarin. Ndërsa me shumë mundësi do ta llogarisë për duelin me Çekinë që luhet më 12 tetor në “Air Albania”.

Ndërkaq, rikthimi i Brojës bie ndesh me dëmtimin e një tjetër sulmuesi të Kombëtares, sic është Sokol Cikalleshi. Sipas asaj që është njoftuar nga klubi turk i Konyasporit, bëhet me dije se Cikalleshi është dëmtuar në ndeshjen e fundit që luajti në kampionatin turk ndaj Rizesporit. Në deklaratën e bërë nga vetë klubi thuhet se “si rezultati i ekzaminimeve të sulmuesit nga Kavaja, u konstatua një dëmtim i shkallës së dytë, në kofshën e djathtë. Sipas deklaratës së mjekut të klubit turk, mësohet se Cikalleshi do të vazhdojë punën nën mbikqyrjen e një fizioterapisti. Mësohet se procesi i rehabilitimit të sulmuesit kuqezi është planifikuar të jetë 2-3 javë. Kështu për momentin duket e vështirë që autori i 3 golave këtë sezon, të jetë i gatshëm për ndeshjen që Shqipëria do të luajë përballë Çekisë, teksa për Silvinjon ka nisur “dhembja e kokës”.