Eric Roy, trajneri i Brest:
“Mendoj se kemi bërë një punë të mirë deri më tani. Për sfidën e sotme, kemi punuar shumë për aspektin psikologjik. Është padyshim një ndeshje speciale për ne, por fizikisht, jemi përgatitur njësoj sic bëjmë edhe për ndeshjet e tjera. Dua që lojtarët e mi të jenë të qetë në fushën e lojës, të luajnë me zgjuarsi dhe të mos nxitohen në vendimet që do të marrin. Kemi studiuar me detaje kundërshtarin sa i përket aspektit teknik, apo edhe atij taktik, pasi duhet të kuptojmë se me cfarë qasje do të përballemi. Duhet të shfaqemi energjikë. Të jemi aktivë nëpër fushë gjatë gjithë kohës. Edhe kur topi të jetë nën zotërimin e kundërshtarit, nuk duhet të bëjmë spektatorin e të presim cfarë do të ndodhë. Është e vërtetë që dua që lojtarët e mi ta shijojnë këtë ndeshje, pasi nuk është nga ato sfida që përsëriten cdo ditë, por nga ana tjetër, e di shumë mirë se i kanë cilësitë për të patur një mbrëmje të madhe. Real Madrid nuk ka nevojë për shumë lëvdata. Ata janë një klub i jashtëzakonshëm dhe kanë një skuadër të ndërtuar me kujdes, ku gjen yje në cdo repart. Nuk mendoj se tek Reali ka momente të këqija. Cdo skuadër ka ulje-ngritjet e veta, por ata janë një skuadër që di të fitojë trofe edhe në momentin më të vështirë.
Kylian Mbappe? Aktualisht, mendoj se ai është sulmuesi më i mirë në Europë, duke llogaritur performancat në të gjitha kompeticionet. Tani ai ka gjetur ritmin që ne ishim mësuar të shihnim prej tij kur luante në Francë. Duhet ta pranojmë që është në një formë të mirë, në të gjitha aspektet dhe mbetet një problem i madh për cdo mbrojtje. Detyra jonë është të bëjmë më të mirën e mundshme për ta limituar dhe për të mos e lejuar të dalë lehtësisht në lojën e tij. Por kjo gjë do të jetë e vështirë, sepse tek Reali nuk është vetëm Mbappe. Ata janë një skuadër që mund të të ndëshkojnë në momentet më të ndërlikuara dhe në mënyrat më të paparashikuara.
Mama Balde, sulmues i Brest:
“Është vërtet bukur të kesh mundësinë të luash kundër Realit të Madridit. E gjitha është speciale, sepse luan kundër lojtarëve të mëdhenj, në një kompeticion kaq të madh. Fizikisht, mund të them se ndihemi mirë dhe jemi përgatitur me shumë intensitet. Të luash ndaj një kundërshtari të tillë nuk është asnjëherë e lehtë. Por unë besoj se në futboll, cdo gjë është e mundur. Një ndeshje, mund të marrë të gjitha drejtimet e mundshme. Lille ia doli të triumfojë ndaj tyre. Nuk kemi pse të mos e besojmë. Mjafton një moment shpërqëndrimi për të vendosur gjithcka. Prandaj duhet të jemi të kujdesshëm dhe të mos neglizhojmë asnjë situatë që do të ndodhë në këtë mbrëmje. Ne do të përpiqemi të bëjmë lojën tonë e të kontrollojmë aq sa mundet. Do të jetë një ndeshje shumë e bukur dhe të gjithë jemi të gatshëm të tregojmë aftësitë tona. E kuptojmë edhe rëndësinë që ka për ecurinë tonë në këtë kompeticion, prandaj jemi gati për të bërë më të mirën e mundshme përpara tifozëve tanë.”
Carlo Ancelotti, trajneri i Real Madrid:
“Do të jetë një ndeshje e vështirë sepse Brest po bën një punë fantastike në ‘Champions League’. Ata kanë një pikë më shumë se ne dhe matematikisht kanë ende mundësi për të shkuar mes 8 më të mirëve. Duhet të kuptojmë që në këtë ndeshje luhen shumë gjëra. Duam ta mbyllim në mënyrën më të mirë të mundshme, një fazë lige shumë të komplikuar, ku duhet të renditemi sa më lart.
Është hera e parë që Real Madrid luan këtu, ndaj Brest. Kam vënë një atmosferë shumë të bukur dhe shpresoj që edhe ndeshja në fushën e blertë t’i përgjigjet si duhet tifozëve. Nuk ka për të qenë aspak e lehtë. E thashë edhe më herët, Brest ka patur një ecuri të mirë, si në kampionat, edhe në ‘Champions’. Kanë krijuar një grup lojtarësh shumë solidë, që e njohin mirë stilin e njëri-tjetrit dhe që dinë të përshtaten ndaj cdo kundërshtari. Janë vërtet shumë të shpejtë e të fortë në kundërsulme dhe kjo është nëj pikë ku duhet të bëjmë kujdes. Shpesh e përqëndrojnë lojën nga krahët, por janë vertikalizimet në qendër ato që mund të na dëmtojnë edhe më shumë.
Kemi punuar me skuadrën për këtë ndeshje dhe mendoj se jemi gati. Nuk e nënvlerësojmë aspak kundërshtarin që kemi përballë. Nëse kanë një pikë më shumë se ne, do të thotë se kanë bërë më mirë dhe e kanë merituar. Duke ditur rëndësinë e ndeshjes, jemi të vetdijshëm që nuk duhet të bëjmë gabime. Nuk ka as kompromise dhe as justifikime në të tilla nivele. Lojtarëve të mi ua kam bërë të qartë se cfarë pres sot, prandaj pres maksimumin. Nuk kemi qenë në të mirën tonë së fundmi, por mund të them se jemi përmirësuar hap pas hapi, për të gjetur ritmin tonë të vërtetë.
Vinicius? Në futbol duhet të pranojmë cdo gjë. Janë disa vendime, që janë individuale dhe nuk mund t’i gjykojmë. Ai është i lumtur mes nesh dhe i uritur për të fituar trofe për Real Madrid. Mendoj se do të zgjedhë lavdinë.”
Thibaut Courtois, portier i Real Madrid:
“Vijmë në këtë ndeshje në një formë shumë të mirë. Po luajmë në mënyrën që jemi mësuar, po shënojmë shumë gola dhe po mbrohemi si duhet. Mendoj se jemi përmirësuar dhe i kemi lënë pas ato momentet me ulje-ngritje të sezonit. Ndeshja e sotme do të jetë mjaft e vështirë. Luajmë kundër një skuadre shumë të fortë në aspektin fizik, prandaj e di se nuk do të jetë e lehtë. Për më tepër, njësoj si ne, edhe ata do të bëjnë cdo gjë për të marrë fitoren, pasi 3 pikë të tjerë do të thoshin shumë. Nuk duhet të kemi mendjen nga tabela e renditjes. Ne duhet të bëjmë detyrën: të fitojmë ndeshje dhe më pas, kur të kenë përfunduar të gjitha ndeshjet e tjera, do të shohim ku do të renditemi. Është e rëndësishme të zbresim me dëshië dhe grintë që nga minuta e parë. Duhet të kuptojmë që në të tilla mbrëmje, nuk ka kohë për të humbur. Kemi vërtet një forcë të madhe në fazën sulmuese, por duhet të ruajmë me kujdes balancat, pasi mund ta pësojmë njësoj sic ka ndodhur më herët.”