Brazili vijon të zhytet në krizë. Skuadra e drejtuar nga Dorival Júnior u mposht 1-0 nga Paraguay në kualifikueset e Botërorit. Golin e vetëm të sfidës, e shënoi Diego Gómez në pjesën e parë, një finalizim mjaft i bukur nga jashtë zonës. Pavarësisht përpjkekjeve me Vinicius Junior, apo Rodrygo, 5 herë kampionët e botës, nuk arritën dot, që të paktën ta barazonin rezultatin. Në këtë mënyrë, Paraguay ka nisur shkëputjen nga fundi i tabelës, duke u ngjitur në vendin e 7-të, që për momentin të të dërgon në play-off.
Sa i përket Brazilit, në 5 ndeshjet e fundit të kualifikueseve, kjo ishte humbja e katërt, që kësisoj vijon të jetë në krizë rezultatesh, teksa në 8 takime të zhvilluara përgjatë kualifikueseve, janë regjistruar, 3 fitore, dhe një barazim, që si pasojë, shoqërohen me vendin e 5-të në renditje me 10 pikë. Ndeshjen e radhës, Brazili do ta luajë ndaj një tjetër kundërshtari delikat, sikurse është Chile, që po kalon një moment negativ, në vendin e nëntë, me vetëm 5 pikë, kështu që do të kërkojë me çdo kusht, që këtë herë, në shtëpi, të marrë rezultat pozitiv ndaj Brazilit.
Sakaq, skuadra më në formë e kualifikueseve të Amerikës së Jugut, duket Kolumbia, që në 8 ndeshje, nuk njeh asnjë humbje, me 4 fitore, dhe 4 barazime. Suksesi më i fundit për kolumbianët e vendit të dytë, erdhi ndaj përfaqësueses së klasifikuar si e para në botë nga FIFA, Argjentinës, me rezultatin 2-1. Heroi i ndeshjes, rezultoi James Rodriguez, i cili shënoi dhe asistoi përgjatë këtij 90 minutëshi. Sidoqoftë, kampionët e Botës dhe të Copa America, renditen të parët e kualifikueseve me 18 pikë, kurse Kolumbia ndjek e dyta me 2 pikë më pak.