Rihapen negociatat mes Brazilit dhe trajnerit Carlo Ançelotti. 5 herë kampionët e botës gjenden në një moment shumë të vështirë rezultatesh. Humbja e fundit 4-1 me Argjentinën, e vlefshme për kualifikueset e Botërorit, ka ngritur shumë dyshime mbi ecurinë e Seleçao. Kështu, mediat e huaja kanë nisur të raportojnë, se drejtuesit e Federatës Braziliane të Futbollit kanë rikthyer edhe një herë tjetër në qendër të vëmendjes, emrin e Carlo Ançelottit. Italiani është i lidhur në një kontratë deri në vitin 2026 me Real Madrid, ndërsa herë pas here ka deklaruar se dëshira e tij e vetme është të vazhdojë punën në krye të 15 herë kampionëve të Europës.
Megjithatë, të shumtë janë ata që këtë sezon, e shohin si të fundit për Ançelotit në stolin e Real Madrid. Madje, edhe nëse Reali kompleton një tjetër edicion të suksesshëm. Duke marrë parasysh që 5 herë fituesi i Champions League është 65 vjeç, ndoshta, drejtimi i një ekipi përfaqësues do të ishte zgjidhja ideale për vazhdimësinë e karrierës.
Ançelotti ishte i lidhur me Brazilin edhe një vit më parë, por, siç bëhet me dije nga informacionet ndërkombëtare, ai qëndroi ende në stolin e Realit, për shkak të triumfit në Champions League, e për këtë arsye, drejtuesit e klubit spanjoll, nuk e lejuan të largohej.
Fundi i sezonit nuk është larg, kështu që me shumë interes pritet se ç’do të rezervojë e ardhmja për trajnerin e Real Madrid, nëse do të vazhdojë të punojë “Santiago Bernabeu”, apo do të emërohet në krye të Brazilit.