Brazili pa surpriza, Zvicra ecën me tjetër shqiptar

Sport

world c 2018
Brazili nuk dhuroi surpriza dhe arriti kualifikimin si kryesues i grupit E, duke dërguar në shtëpi Serbinë e ardhur me pretendimin së paku për të kaluar në 1/8-at e finaleve. Pas eleminimit befasues të Gjermanisë, skuadra e Tite’ ishte ajo që rrezikonte më shumë, si për kundërshtarin që kishte përballë, ashtu edhe për paraqitjet jo bindëse. Por tregoi se di të vuajë dhe me një gol për secilën pjesë likuidoi serbët, megjithëse pa shkëlqyer. Paulinho dhe Thiago Silva udhëhoqën brazilianët drejt një fitoreje, që i katapulton ndër 16 më të mirat, aty ku të hënën e 2 korrikut do të sfidojnë Meksikën. Me shpresën që të rikuperojë në kohë Marcelon, për të cilin mjekët duken optimistë pas daljes për dhembje në kolonën vertebrale. Serbia vendosi në provë të vërtetë mbrojtjen e Selesaos, por Thiago Silva e Miranda ia dolën të mbajnë ekuilibrin e një skuadre me prioritet sulmin. Por të cilës i mungoi firma e një sulmuesi. Ai që u shfaq paksa më i gjallë nga të tjerët ishte Neymar, i cili pati më pak dëshirë për t’u rrëzuar dhe më tepër për të ndikuar në lojën e skuadrës me talentin e tij. Ndonëse ndonjëherë e kërkoi i vetëm rrugën drejt portës. Jo pak vëmendje mori edhe Coutinho, sidomos për atë asist gjenial që shërbeu për Paulinhon, në rastin e golit të parë që zhbllokoi shifrat.

cunat
Nga ana tjetër, serbët u hodhën në sulm veçanërisht gjatë pjesës së dytë. Por pasaktësia ishte ajo që mbizotëroi në tentativat me protagonist special, Mitrovic. Në një situatë të tillë, Neymar pasi kuptoi se e kishte vështirë të shënonte, atëherë mori rolin e “asistman”-it. Nga goditja e këndit gjeti saktë kokën e Thiago Silvas, duke vulosur rezultatin 2-0 përfundimtar. Në ndeshjen tjetër të grupit E, Zvicrës ngeci në një brazim 2-2 ndaj Kosta Rikës, por që i mjaftoi për të mbetur të pathyer. E mbi të gjitha për të prerë biletën e të tetave, si skuadra e renditur e dyta, teksa tashmë i pret Suedia, të martën e 3 korrikut. Nuk mungoi për herë të 3-të një gol i një lojtari me origjinë shqiptare, si Blerim Xhemaili, por natyrisht i pashoqëruar me festimin përmes simbolit të shqiponjës. Kosta-rikanët ia dolën që me penalltinë e 24-të të këtij Botërori, të marrin pikën e tyre të parë në të 92′-tën. Por mbi të gjitha të bëhen skuadra e 32-të që shënon në Rusi 2018.