Brazili, lëndoi kaviljen, Danilo largohet nga skuadra

Sport

danilo

Mbrojtësi brazilian Danilo e ka mbyllur botërorin. 26-vjecari, i cili aktivizohet te Manchester City-i i Pep Guardiolës ka vuajtur një lëndim serioz në kavilje dhe është larguar nga skuadra e trajnerit Tite. Lëndimin, mbrojtësi i krahut të djathtë thuhet se e ka pësuar teksa po stërvitej me grupin. Danilo kishte luajtur vetëm në ndeshjen hapëse të botërorit, në barazimin 1-1 me Zvicrën më 17 qershor. Edhe atë ndeshje ai nuk e zhvilloi dot me kapacitet të plotë, kjo për shkak të një lëndimi muskulor në kofshë. Për këtë u la jashtë skuadre në sfidën me Costa Rican. Vendin e tij e zuri lojtari i Corinthiasit, Fagner, i cili deri më tani e ka bërë mirë rolin e zëvendësuesit.

danilo2

Problemet muskulore ishin parashikuar të tejkaloheshin, por ja që tani një problem tjetër e bën të pamundur për Danilon që ta vazhdojë këtë botëror. Kujtojmë se 26-vjecari u grumbullua nga Tite vetëm në fund, kur Dani Alves vuajti një lëndim të ngjashëm me PSG. Mungesa e Danilos në krahun e djathtë dhe problemet gjithashtu me Marcelon e bëjnë të vështirë për dyshen Filipe Luis dhe Fagner që të mbajnë intensitetin e lartë që kërkohet në këtë botëror, gjithsesi mbetet për t’u parë se si do ta ndryshojë skuadrën Tite në mënyrë që dy mbrojtësit e krahut të mos vuajnë sforcime të shumta në fushë.