Për Brazilin, fitimi i Botërorit të gjashtë është kthyer në fiksim. Në Rusi 2018, të besuarit e Tite’ kanë ardhur me petkun e favoritit (bashkë me Gjermaninë, Spanjën, Argjentinën apo Francën), dhe me objektivin për ta marrë me vete në shtëpi atë kupë që u mungon nga 2002-shi. Gjithcka mbetet ende e mundshme, pavarësisht barazimit zhgënjyes ndaj Zvicrës. Mirëpo Selesao duket se e ndjen shumë presionin e mediave të të gjithë botës, përvecse të një Brazili të tërë. Po, sepse një tjetër zhgënjim në Botërorin e katërt radhazi, do të ishte e tepërt për “Pentakampionët”, që ëndërrojnë të shkupten kundrejt Italisë dhe Gjermanisë, përfaqësuese të ndalura në kuotën e 4 triumfeve botërorë. Teksa brazilianët kërkojnë të përforcojë lidershipin e tyre planetar.
Në radhë të parë, ndër misionet e Selesaos, është të largojnë makthet e atij 7 me 1-shi, që pësuan 4 vjet më parë nga Gjermania brenda në Brazil. Ai kujtim i keq mund të asgjësohet vetëm përmes rezultateve, ato që do të bënin të mundur më pas triumfin final të Neymar me shokë. Bëhet fjalë për një ëndërr që brazilianët as nuk dëshiron ta mendojnë se mund të kthehet në makth. Prandaj, Federata Braziliane e Futbollit ka vendosur t’i stimulojë lojtarët në planin financiar. Pikërisht ka vendosur të japë 10 milionë euro shpërblim për skuadrën, për fitimin e Kupës së Botës. Kështu, secili do të merrte 432 mijë euro rast fitoreje finale. Një shifër ndoshta e vogël, krahasuar me milionat që marrin nëpër klube, por që shumica e futbollistëve nuk do ta refuzonte.
Pastaj, në këtë renditje të veçantë, brazilianët mund të thuhet se kanë fituar duelin në distancë me kolegët gjermanë, që kanë bërë pakt me Federatën për një premio prej 350 mijë euro, gjithmonë nëse bëjnë “bis” suksesin në Botëror. Ja që Selesao ka një tjetër motiv për të rrëmbyer Kupën.