Luiz Nazario de Lima Ronaldo po sheh mundësitë për të blerë një klub në kategorinë e dytë angleze ose spanjolle. Eshtë ky lajmi që vjen nga Brazili, ku fenomeni ka folur në një intervistë eskluzive për Folha de Sao Paulo. Ish-sulmuesi i Realit të Madridit dhe Interit, ka rreth 5 vite që zotëron disa kompani marketingu të futbollit duke korrur jo-pak suksese financiare në këtë drejtim. Sipas revistës Forbes, agjencia e tij “9-ine Sports” ka tashmë nën kontratë yje si Lucas Moura apo Neymar ndërsa bordit drejtues i është shtuar edhe Kaka. Ditët e fundit në Brazil përflitej se 41-vjecari mund të kandidonte për t’u bërë Kryetar i Federatës së Futbollit, por Ronaldo e ka mohuar një gjë të tillë. Fenomeni, i cili e la futbollin e luajtur në vitin 2011 ka thënë se nuk e sheh ende veten në të tilla pozicione drejtuese. Sikurse ka treguar ai, më parë do të donte të zotëronte një klub futbolli. “Dua të sjell gjëra të reja, të provoj idetë e mia, prandaj po shoh për mundësitë për të marrë në zotërim ndonjë klub në Championship apo Segunda division” – ka treguar Ronaldo. I cilësuar si figura më e spikatur e futbollit brazilian për vitet 90-2000, 41-vjecari thuhet se vetëm përmes karrierës si lojtar, ka mundur të grumbullojë një pasuri të vlefshme sipas Forbes në mbi 200 milionë dollarë. Nuk dihet ende se cilat janë planet konkrete, apo emrat e dëshirueshëm nga Ronaldo, ndërsa në Angli në Championship në sitauta të vështira shfaqen klube s Bolton, Sunderland apo dhe Birmingham.