Brazil, Ronaldinho i jep fund futbollit, kështu thotë i vëllai Roberto Assis

Sport

Ronaldinho

Karriera e Ronaldinhos si futbollist ka marrë fund. Në moshën 37-vjecare braziliani ka vendosur të tërhiqet dhe lajmin e ka bërë me dije i vëllai, njëherësh agjenti i tij, Roberto Assis. Në një intervistë për “O Globon” në Rio de Janeiro vëllai i Ronaldinhos është shprehur se ai nuk luan më dhe se po mendojnë të zhvillojnë një ndeshje përmbyllëse të karrierës, kjo natyrisht pas botërorit Rusi 2018-të. I cilësuar si një nga lojtarët më të talentuar të shekullit të 21-të, Ronaldinho e pati shprehur vetë gjatë korrikut 2017-të se mosha nuk ia lejonte më të ishte në fushë. Këtë gjë ai e pati thënë gjatë një ndeshjeje miqësore në Çeçeni. Dinho nuk luan një ndeshje zyrtare që prej shtatorit vitit 2015-të, kur u largua nga Fluminense. Evropa e njohu në vitin 2001 kur luante për PSG dhe një vit më vonë gjatë Kupës së Botës pas atij goli ndaj Anglisë. Si kampion Presidenti Laporta e transferoi te Barcelona, kjo si alternativë e David Beckham që zgjodhi Realin dhe jo katalanasit. Basti prej 32 milionë eurosh rezultoi i fituar dhe për 5 vite me Barcelonën Dinho fitoi gjithcka, Champions League, 2 kampionate, 2 Super-Kupa Spanje si dhe Topin e Artë. Golat ishin të pafundë, ashtu sikurse edhe magjitë saqë çdo ndeshje në Camp Nou shikohej vetëm prej tij. Asnjëherë i urryer, madje as nga një stadium si Bernabeu, që nuk nguronte të duartrokiste për të edhe pse lojtar i Barcelonës. Gjithmonë sportiv dhe i qeshur, Dinho vazhdoi karrierën duke kaluar te Milani në 2008-ën dhe pas 1 kampionati me kuqezinjtë u rikthye në Brazil ku luajti po me sukses me Flamengon, Atletico Mineiron apo dhe Fluminensen. Ai pati gjithashtu një përvojë në Meksikë me Queretaron, ndërsa lidhja me Barcelonën nuk u prish kurrë dhe ai mbetet një ambasador nderi i klubit.