“Neymar i ka dyert e hapura te Reali i Madridit” kështu ka thënë së fundmi Marcelo në drejtim të çështjes më të nxehtë të merkatos së kësaj vere, por që sipas tij nuk ka asnjë arsye se përse që të dy, si ai dhe Ronaldo, të mos jenë në të njëjtën skuadër. Portugezi po raportohet gjithmonë e më shumë se është drejt largimit prej Madridit dhe në vend të tij Los Blancos synojnë të angazhojnë Neymarin. Ende nuk ka asgjë konkrete se si do të mund të bëhet kjo lëvizje, por patrioti i tij Marcelo beson se 25-vjecari do të luajë për 13 herë kampionët e Europës.
“S’është Ronaldo pronari i klubit. Nëse presidenti dëshiron të angazhojë dikë tjetër, me siguri ai do ta bëjë. Por unë them se nuk ka arsye se pse Neymari të mos vijë edhe duke qenë Cristiano në skuadër” ka thënë 30-vjeçari. Deklaratat e Marcelos ishin në faqet e parë të të gjitha portaleve sportive në Spanjë. AS dhe Marca i kishin kushtuar një vëmendje të veçantë në raportimet e tyre, kjo për shkak se 30-vjecari brazilian cilësohet të ketë një marrëdhënie të ngushtë edhe me Ronaldon. Ndërkohë Marca tregon se ka një përplasje mes Florentino Perezit dhe yllit portugez. Sipas saj, një takim është zhvilluar të martën e kaluar dhe presidenti i Realit është shprehur i gatshëm për shitjen e Ronaldos. Kjo, për shkak të distancës tejet të theksuar mes kërkesës ekonomike të portugezit dhe ofertës së padronit të “Los Blancos”-ve. I njëjti lajm gjeti vende edhe te gazeta AS e cila thekson se tashmë klubi do ta largojë portugezin.