Brazil-Belgjikë bëhet çifti i tretë çerek-finalist, eliminohen Meksika dhe Japonia

Sport

brazil
Çifti i tretë çerek-finalist për këtë edicion botërori do të jetë Brazil-Belgjikë. Dita e 17-të ishte e jashtëzakonshme. Si fillim përballja Brazil-Meksikë pa në fushë spektakël nga ana e “Neymar & Co.” Në Samara Arena skuadra e trajnerit Tite shënoi dy herë vetëm në pjesën e dytë, ndërsa Meksika me veteranin Marquez, ishte tërësisht e ngathët në fushë. Në 19 ndeshjet e fundit të Brazilit, “O Ney” rezulton tashmë të jetë përfshirë në 20 gola, duke shënuar 11 herë dhe duke asistuar 9 herë të tjera shokët e skuadrës, ndërkohë Firmino realizoi të 7-in gol me përfaqësuesen dhe në të gjitha herët ka qenë goli i fundit i takimit. Loja ndryshe nga ndeshjet e tjera, ishte e kënaqshme dhe Tite u duk optimist pasi niveli duket në ngrtije. Pas fitores 2-0 të Brazilit rradhën e kishte Belgjika. Përballja me Japoninë rezultoi krejt e paparashikueshme.

belgj

Aziatikët kaluan dy herë në avantazh brenda 4 minutash. Haraguchi dhe Inui shtangën yjet e belgëve. Por po kaq minuta iu desht skuadrës së Martinez të realizonte barazimin, Vertonghen në minutën e 69-të, gjeti rrjetën me një gol tejet të vecantë, ndërsa Fellaini i hedhur si zëvendësues barazoi me një gol me kokë në të 75-ën. Loja u bë tejet e fortë dhe me aksione të shumta. U pa qartë se asnjëra nuk donte të shkonte në shtesë. Chadli vulosi përmbysjen historike duke realizuar në të 94-ën dhe Belgjika u bë e para skuadër që përmbys dy gola në fazën me eliminim direkt që prej vitit 1966 kur Portugalia bënte të njëjtën gjë ndaj Koresë së Veriut. Kështu Brazil-Belgjikë e 6 korrikut premton edhe më shumë spektakël.