Gabriel Barbosa, i njohur si ‘Gabigol’ po shijon një nga momentet e tij më të mira në radhët e Flamengos në Brazil, skuadër së cilës i dha edhe trofeun në ‘Copa Libertadores’ pas dy golave në finalen ndaj Rivar Plate. Sulmuesi duket se e ka lënë pas periudhën e errët që kaloi tek Inter dhe në vendlindjen e tij ndihet i rilindur. Paraqitjet e mira që ai bërëi në radhët e Flamengos bëri që sërish klubet europiane të kthejnë vëmendjen nga 23-vjeçari. Përpara se të vinte blerja përfundimtare e kartonit të tij nga Flamengo, shumë spekulonin se lojtari mund të rikthehej të provonte sërish shanset e tij tek Interi, por mesa duket një gjë e tillë ka qenë e pamundur. Këtë e ka zbuluar agjenti i Gabriel Barbosa, i cili u shpreh se sulmuesi nuk e ka menduar për asnjë moment rikthimin e tij tek zikaltërit. Braziliani shpenzoi 12 muaj në Itali, pas transferimit nga Santos, por luajti vetëm 9 ndeshje, ku shënoi edhe 1 gol. Më pas ai u huazua tek Benfica dhe Santos, derisa Flamengo bëri të mundur që sulmuesi të rikthehej në formën më të mirë. Klubi brazilian bleu përfundimisht kartonin e ‘Gabigol’ në janarin e këtij viti, teksa drejt Interit shkuan 17 milionë euro. Gjatë 2019-ës, në 29 ndeshje me Flamengon, Barbosa shënoi 25 gola, duke dhënë një kontribut të veçantë në sukseset e kuqezinjve. Siç zbuloi agjenti i tij, për momentin sulmuesi kërkon t’i përkushtohet Flamengos të paktën edhe për një sezon, përpara se të vendosë nëse do të provojë edhe njëherë shanset e tij në Europë, ku sigurisht, Interi nuk bën më pjesë në planet e tij.