Bottas përmbys Ferrarin, Mercedes fiton titullin për konstruktorë

Sport

Valtteri Bottas ia doli të kthehej tek fitorja pas një kohe të gjatë dhe e bëri këtë duke përmbysur rezultatin e mirë në prova të makinave Ferrari. Piloti i Mercedes bëri një nisje të shkëlqyer në ‘Çmimin e Madh’ të Japonisë, duke fituar vendin e parë ndaj dy kokëkuqeve e duke e menaxhuar në mënyrë të shkëlqyer. Mercedes dukej në formë të mirë, pasi dhe Hamilton bëri një paraqitje mbresëlënëse, ndonëse në fund, Vettel ia doli të ruante vendin e dytë. Zhgënjeu ndërkohë Charles Leclerc, i cili jo vetëm që është diskutuar shumë për një nisje të parakohshme, por shkaktoi edhe një incident në kthesat e para me Max Verstappen.

Piloti monegask e kaloi atë moment dhe vazhdoi garën me makinën e dëmtuar, ndonëse tek Ferrari i kërkonin të futej në bokse për ndryshime. Lelcerc refuzoi të bënte ndalesën në bokse dhe vijoi garën, por një pjesë e shkëputur prej tij rrezikoi seriozisht Lewis Hamilton. Madje nëse nuk do të kishte qenë për sistemin ‘Halo’, gjërat mund të kishin shkuar vërtet keq për pilotin britanik. Leclerc u dënua pas garës, teksa iu ulën pikë edhe në patentë.


Gjithsesi, tek Mercedes siguruan titullin e parë të sezonit, pasi u konfirmuan si skuadra kampione e ‘Formula 1’. Kur kanë mbetur edhe katër gara, ‘shigjetat e argjendta’ kanë një avantazh prej 179 pikësh me ndjekësit e Ferrarit. Ky ishte suksesi i gjashtë radhazi për Mercedes sa i përket luftës së konstruktorëve. Ndërsa tek pilotët, Hamilton vazhdon rrugëtimin drejt konfirmimit si kampion, teksa i vetmi që është në lojë matematikisht, është shoku i tij i skuadrës, Valtteri Bottas.