Edhe pse flitet prej muajsh se Milani interesohet për shërbimet e Sven Botman, ende nuk kemi patur asnjë konfirmim zyrtar të një lëvizjeje të tillë për kampionët e Italisë. Merkato e verës për këtë vit do të jetë shumë e rëndësishme për kuqezinjtë, që synojnë të përforcohen ndjeshëm në disa reparte, për të qenë kompetitiv edhe në sezonin e ardhshëm. Nga Holanda kanë ardhur disa sinjale të rëndësishme nga ana e vetë Sven Botman, që ka pranuar se gjasat janë që ai të largohet nga Lille.
I pyetur nëse është Milani destinacioni i tij i ardhshëm, qendërmbrojtësi ka buzëqeshur duke shtuar se janë duke u kryer bisedime për këtë çështje dhe shpreson që brenda këtij muaji, të ketë qartësuar gjithçka. Maldini dhe Massara duket se nuk kanë ndërmend të heqin dorë nga 22-vjeçari, edhe pse për të ka konkurencë të madhe. Botman do të ishte një investim shumë i rëndësishëm për Milanin e Piolit, që do të kishte më shumë alternativa cilësore sa i përket prapavijës. Por Botman nuk është i vetmi lojtar i Lille për të cilin interesohen kuqezinjtë.
Kampionët e Italisë po lëvizin prej kohësh edhe për shërbimet e mesfushorit Renato Sanches, që shihet si zëvendësuesi i duhur i Franck Kessie. Sanches është ndër lojtarët më të dalluar të skuadrës franceze dhe duke parë raportet me agjentin e tij, Jorge Mendes, Maldini po përpiqet të mbyllë sa më shpejt këtë lëvizje. Mendes është njëkohësisht edhe agjenti i Leaos, më të cilin po punohet për rinovimin e kontratës dhe kjo, mund t’i bëjë shumë të lehta disa gjëra. Gjithësesi, për momentin nuk ka asnjë konfirmim zyrtar nëse bisedimet për Botman apo Sanches po ecin në mënyrën e duhur. Milani i ka të qarta objektivat e kësaj merkatoje, me Maldinin dhe Massaran që kanë marrë mbështetjen e plotë edhe të pronarëve të rinj të klubit.