Eliminimi i Gjermanisë dhe Belgjikës nga Kupa e Botës Katar 2022, ka sjellë gjithashtu edhe fundin e një cikli për personzhe të caktuara në përfaqësueset respective. Menjëherë pas përfundimit të ndeshjes me Kosta Rikën, Thomas Muller ka dhënë dorëheqjen nga kombëtarja.
Ndoshta ky nuk ishte momenti më i mirë për të bërë një hap prapa, por ishte i duhuri, sepse fakti që Gjermania eliminohet në dy Botërorë radhazi që në fazën e grupeve, do të thotë se 4 herë kampionët e botës kanë nevojë të domosdoshme për t’u riformatuar nga e para.
Muller debutoi me Gjermaninë në 3 Mars së 2010-tës, atëherë kur ishte vetëm 20 vjec, 5 muaj e 18 ditë. Që prej atij momenti, sulmuesi luajti 121 ndeshje me Kombëtaren në të gjitha eventimentet sportive, duke shënuar 44 gola dhe po ashtu kontribuoi me 40 asist.
Sa i takon një kompeticioni si Kupa e Botës, Muller zbriti në fushë në 19 ndeshje, shënoi 10 gola, dhuroi 6 asist, e po ashtu arriti të fitonte edhe një titull, sikurse ishte Botërori i 2014-tës.
Më tej, një tjetër personazh që u tërhoq nga angazhimi me kombëtaren pas dështimit të hershëm në Katar 2022 është edhe trajneri Roberto Martinez. Belgjika nuk ia doli të kualifikohej përtej grupeve për herë të parë që nga viti 1998-të, e si pasojë, 49 vjeçari shpalli “divorcing” me “djajtë e kuq”. “Kjo skuadër u ka dhuruar tifozëve një spektakël të vërtetë për shumë vite me radhë, por tani është momenti që të pranoj se për mua mbyllet këtu. Nuk po jap dorëheqjen, por thjesht kontrata ime mbyllet këtu”, u shpreh takticieni spanjoll.