Lënia në stol në sfidën që Portugalia fitoi 6-1 ndaj Zvicrës ka bërë që mediat të nxisin spekulimet se Cristiano Ronaldo ka prishur marrëdhëniet me trajnerin Santos apo edhe me një pjesë të shokëve të tij të skuadrës. Madje këto raportime shkuan deri në pikën ku thuhej se veterani kishte menduar edhe largimin nga grupi i lojtarëve të luzitanëve, por federata portugeze e futbollit hodhi poshtë këtë lajm. Megjithatë, Ronaldo ka vendosur të marrë vetë gjërat nën kontroll e të shuajë çdo spekulim të mundshëm, që vetëm sa shton presionin dhe shqetëson përfaqësuesen portugeze në aspektin psikologjik. Me anë të disa postimeve në rrjetet e tij sociale, Cristiano e bën të qartë se tek Portugalia çdo gjë shkon në harmoni dhe se të gjithë lojtarët janë të përqëndruar për të arritur drejt objektivave të vendosur.
Në foton ku duken futbollistët luzitanë duke festuar, Ronaldo shkruan: “Një grup shumë i bashkuar për t’u thyer nga forcat e jashtme. Një komb shumë krenar për t’u shqetësuar nga të tjerët. Një skuadër në kuptimin e plotë të fjalës, që do të luftojë për ëndrrën e saj deri në fund! Kini besim tek ne!”
Fjali mëse të qarta nga ana e 37-vjeçarit, që në këtë mënyrë i jep fund lajmeve se tek Portugalia asgjë nuk shkon më si më parë, pas asaj që ndodhi me Ronaldon në sfidën ndaj Zvicrës. Në fakt, ish-lojtari i Real Madrid dhe Manchester United, pati deklaruar në fillimin e botërorit në Katar se do të ishte i gatshëm të firmoste tërheqjen e tij, nëse kjo do t’i jepte Portugalisë ‘Kupën e Botës’, duke treguar se çfarë rëndësie ka për të rrugëtimi që skuadra përfaqësuese e vendit të tij është duke ndjekur.