Botërori, Portugalia mposht me vështirësi Ganën; Ronaldo shënon tjetër rekord

Sport

Portugalia e Cristiano Ronaldos e ka nisur me ‘këmbën e mbarë’ botërorin në Katar, teksa siguruan një fitore të vuajtur në ndeshjen e parë të tyrë në grupin H, ndaj afrikanëve të Ganës. Loja dhuroi emocione të forta dhe plot 5 gola, që u shënuan të gjithë pas minutës së 65. Pikërisht atëherë, Ronaldo hapi siparin duke ekzekutuar saktë një 11-metërsh të fituar nga vetë ai. Por ganezët u përgjigjën shumë shpejt, duke barazuar me kapitenin Andre Ayew. Dalja nga loja e këtij të fundit ndikoi jo pak në lojën e ekipit afrikan, që në harkun e dy minutave, pësuan dy gola. Joao Felix dhe Rafael Leao u bënë lojtarët më të rinj në moshë që shënojnë gol me fanellën e Portugalisë, në debutimin e tyre me luzitanët në një kampionat botëror. Gana do të rikthehej në lojë vetëm 1 minutë nga fundi i kohës shtesë, falë një goli të bukur të Osman Bukari. Portugezët do të qëndronin prapa, në mbrojtje të avantazhit mininmal, teksa ankthi për trajnerin Santos dhe të tijët arriti kulmin kur portieri Diogo Costa ra pre e kurthit dinak të Inaki Williams. Por sulmuesi i Athletic Bilbao humbet ekuilibrin, duke bërë që portieri i portugezëve t’ja hedh paq e të marrë një mësim të mirë për të ardhmen. 3-2 dhe Portugalia merr kryesimin e grupit. Cristiano Ronaldo u bë kështu i pari lojtar që ia del të shënojë gol në 5 botërorë të ndryshëm. Ky ishte i teti realizim për të në ‘Kupat e Botës’, duke llogaritur golat ndaj Iranit në 2006-ën, ndaj Koresë së Veriut në 2010-ën, në 2014-ën po ndaj Ganës dhe në 2018, shënoi një tripletë ndaj Spanjës dhe një gol ndaj Marokut.