Botërori/ Portieri i Kroacisë në histori, Brazili pret ballkanasit në çerekfinale

Sport

Kroacia është përfaqësuesja e radhës që kualifikohet në fazën çerekfinale të Botërorit. Në raundin e 1/8-tave, ballkanasit mposhtën Japoninë me 11 metërsha, me rezultatin 3-1.

Heroi skuadrës së Zlatko Daliç rezultoi portieri Dominik Livakoviç, i cili ndali 3 penallti të aziatikëve, duke u bërë në këtë mënyrë vetëm portieri i 3-të në historinë e Kupës së Botës që ndal 3 goditje nga pika e bardhë. Një gjë të tillë përpara tij e ka bërë gardiani i Portugalisë, Ricardo, në 2006-tën ndaj Anglisë dhe po ashtu portieri i Kroacisë Danijel Subasiç ndaj Danimarkës në 2018-tën.

Sa i përket 120 minutëshit të zhvilluar, të dyja skuadrat nuk shkuan dot më tepër sesa barazimi 1-1. Ishin aziatikët ata që kaluan të parët në avantazh me anë të Maedas në minutën e 43, ndërsa kur kishin kaluar 10 minuta nga nisja e fraksionit të dytë, Ivan Perisiç barazoi shifrat. Ky ishte një gol, me të cilin Perisiç ka shkruar historinë e vendit të tij. Anësori i sulmit tashmë ka shkuar në kuotën e 10 finalizimeve mes Botërorit dhe Katarit, duke bërë më mirë sesa çdo lojtar tjetër në historinë e përfaqësueses kroate.

Me raundin e 1/8-tave të kaluar me sukses, tanimë vështirësia sa vjen e zmadhohet për Kroacinë, sepse në çerekfinale i pret Brazili. 5 herë kampionët e botës, fituan lehtësisht pa asnjë problem ndaj Koresë së Jugut me rezultatin 4-1. Të besuarit e trajnerit Tite, i realizuan që të 4 golat në pjesën e parë.

Kjo është vetëm hera e dytë që Brazili shënon 4 gola në pjesën e parë gjatë një Botërori. Fillimisht ka ndodhur ndaj Meksikës në vitin e largët 1954.

Ndeshja çerekfinale, Kroaci – Brazil, do të luhet ditën e premte në orën 16:00. Të dyja këto përfaqësuese janë përballur 4 herë mes tyre në histori. Dy herë në Botëror dhe dy herë të tjera në miqësore. Amerikano-latinët kanë dalë fitues në 3 takime, kurse një tjetër është mbyllur në barazim.