Botërori, nuk duket një turne për ‘gjigantët’!

Sport

world cup 2018
Xhiroja e parë e ndeshjeve të këtij Botërori dhuroi pak gola, ndeshje që kryesisht nuk u ngjiten mbi nivelin mesatar, por mbi të gjitha paftësinë e skuadrave favorite për të vendosur diktatin e tyre. Ndër 5 më të kuotuarat për triumfin final, në 90 minutëshat e parë fitoi vetëm Franca, gjithsesi aspak e kënaqshme për t’u shikuar. Por padyshim që në krye të zhgënjimeve qendron Gjermania, kampionia në fuqi që pakkush e priste të ishte në nivel aq të dobët, duke pasur parasysh që deri tani nuk kishte humbur asnjë premierë të Kupës së Botës që prej 1982-shit. Sa i takon fillimit jo të mbarë s’mbetet prapa as Brazili, për të cilin një barazim përballë Zvicrës, ishte rezultat që mban Selesaon dhe tifozët e saj në ankth, veçanërisht duke parë shpërdorimet përpara portës. As Argjentina nuk iu përgjigj në mënyrën e duhur pritshmërive. E mbi të gjitha asaj që pritej veçanërisht nga Messi, i cili provoi në të gjitha mënyrat, me 11 tentativa drejt portës Islandeze. Mirëpo, pak për fatin e keq dhe pak për meritë të kundërshtarit, rezultatoi protagonist negativ i sfidave të para.

wc
Të vetmet gjigante që u përgjigjën pozitivisht në apel ishin Spanja dhe Portugalia, dy ekipet e vetme mes 10-shes së parë në botë, që u ndeshën me njëra-tjetrën, duke prodhuar një nga ndeshjet më spektakolare të këtij Botërori. Pa menduar shumë për t’u kursyer sa i takon vijimit të mëtejshëm të kompeticionit. Për momentin mund të thuhet se e gjithë “pamjaftueshmëria” e të ashtuquajturave të mëdha i faturohet kryesisht një faktori psikologjik. Një bllokim, që i bën formacionet e mëdha të turneut të mos bindin në prezantimet e para me turneun botëror. Fundja, bëhet fjalë për turne që fitohet në finale. Prandaj nuk është çudi që përfaqësueset e mëdha po bëjnë përgatitje të atilla, për të gjetur formën më të mirë në pjesën e dytë të Botërorit. Atëherë kur nisin sfidat vendimtare.