Botërori, nga Amerika kërkojnë kontrolle dopingu për Rusinë

Sport

world cup 2018

Teksa Kombëtarja ruse po shkon si mos më mirë në Botëror, ku është kualifikuar si kryesuese e grupit të vet me pikë të plota pas 2 ndeshjeve, vjen një akuzë e rëndë nga ana tjetër e botës. Saktësisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas gazetës Telegraph, agjencia amerikane e antidopingut, USADA, e përfaqësuiar nga shefi i saj Trevis Tygart, duket se ka kërkuar me zë të lartë kontrolle më të thelluara për lojtarët e skuadrës organizatore të këtij Botërori. “Rusia duhet t’i nënshtrohet testeve më të detajuara dhe të rrepta. Rregullat ndërkombëtare parashikojnë që të monitorohet me vëmendje të madhe një përmirësim kaq i dukshëm i paraqitjeve të lojtarëve rusë. Kështu i garantohet edhe publikut një Botëror i rregullt dhe me integritet”, ka kërkuar Tygart. Një akuzë shumë e rëndë që natyrisht vjen si pasojë e klimës së mosbesimit që ka mbizotëruar së fundi kundrejt sportit rus. Kjo, duke pasur parasysh çështjet e antidopingut që kanë mbërthyer disa muaj më parë veçanërisht atletikën në Rusi.

world cup
Për momentin, FIFA nuk i është përgjigjur Tygart. Por natyrisht pritet në ditët në vazhdim një replikë, për të larguar cdo dyshim kundrejt një skuadre që ka bërë vërtet një figurë mjaft mbresëlënëse në dy ndeshjet e para të Botërorit. Në fillim të këtij turneu, organizmi më i lartë i futbollit botëror e kishte cilësuar Rusinë si një nga skuadrat më të verifikuara sa i takon aspektit të pastërisë. Megjithëse nuk ka dashur të zbulojë sasinë e testeve antidoping, të cilave i janë nënshtruar lojtarët rusë edhe pas nisjes së kampionatit botoëror që zhvillohet në shtëpinë e tyre.