Franca e ka nisur me këmbën e mbarë Botërorin e Katarit. Në ndeshjen debutuese të Grupit D, atë ndaj Australisë, që e fitoi me rezultatin e thellë 4-1.
Ndonëse ishin australianët, ata që kaluan të parët në avantazh që në minutën e 9-të me anë të Goodëin, “gjelat” reaguan menjëherë. Në harkun kohor të 5 minutave, në të 27-tën dhe në të 32-tën Rabiot dhe Giroud përmbysën shifrat.
Më pas, në të 68-tën, Kylian Mbappe realizoi edhe të 3-tin për kampionët në fuqi të botës. Ylli i PSG-së, pati gjithësej 19 prekje të topit në zonën kundërshtare, më shumë sesa çdo lojtar tjetër në një Kupë Bote, që nga viti i largët 1970-të.
Ndërsa 180 sekonda më vonë se Mbappe, Giroud realizoi edhe të 4-tin për skuadrën e tij dhe të dytin personal. Me këtë finalizim, Giroud shkoi në kuotën e 51 golave me Francën, duke barazuar legjendën Thiery Henry. Një tjetër gol, do ta bënte sulmuesin e Milanit, golashënuesin më të mirë të historisë së Francës.
Me këtë sukses, Franca është skuadra e parë kampione në fuqi që e nis Botërorin me fitore, të paktën duke u nisur që nga viti 2006-të. Po ashtu, triumfi 4-1, ishte fitorja më e thellë që një ekip kampion i botës arrin në ndeshjen debutuese të Botërorit.
Në ndeshjet e radhës të Grupit D, Franca do luajë përballë Danimarkës, kurse Australia përballë Tunizisë.
Sa i përket ndeshjes tjetër, asaj të Grupit C, mes Meksikës dhe Polonisë, 90 minutëshi u mbyll në barazim 0-0. Momenti më kulminant i takimit ishte në minutën e 58-të, kur Robert Leëandoëski gaboi nga pika e bardhë e penalltisë. Portieri Ochoa ndali gjuajtjen e tij. Në takimin tjetër të Grupit C, Meksika do luajë përballë Argjentinës, kurse Polonia me Arabinë Saudite.