Botërori, Brazili dhuron spektakël ndaj Serbisë, por tremb dëmtimi i Neymar

Sport

Brazili e nis ashtu siç i ka hije… me spektakël, gola dhe dominim absolut. Ndaj Serbisë, skuadra ‘Seleçao’ bëri gjithçka në mënyrë perfekte, duke triumfuar me dy-golëshin e Richarlison. Serbia ia doli të rezistonte pa pësuar gol në pjesën e parë, teksa Allison Becker ishte i pashqetësuar në portën e tij. Duhet të vinte minuta e 62-të, që Brazili të gjente rrugën e rrjetës. Portieri serb, Milinkovic-Savic ndali një goditje të fortë të Vinicius Jr, por nuk e largoi topin si duhet nga zona, duke bërë që Richarlison të përfitonte për të gjetur rrugën e rrjetës. Sulmuesi i Tottenham-it do të bëhej sërish protagonist në minutën e 73-të, kur realizoi një gol spektakolar, ndoshta ndër më të bukurit në javën e parë të fazës në grupe në këtë botëror. 25-vjeçari numëron tashmë 19 gola të shënuar me fanellën e Brazilit në të gjitha kompeticionit dhe që nga debutimi i tij me ‘Seleçao’-n në shtator të 2018-ës, askush nuk ka shënuar kaq shumë. Mbrëmje e madhe edhe për Vinicius, që u bë i gjashti lojtar brazilian që jep një asist në debutimin e tij në një ‘Kupë bote’, duke pasuar emra si Paulo Isidoro, Gilberto, Cicinho, Elano dhe Douglas Costa. Pas golit të dytë të Richarlison, Serbia u duk krejtësisht e dorëzuar. Brazilianët tentuan me ngulm të gjenin golin e tretë, por tentativa e Casemiro-s 10 minuta nga fundi i kohës së rregullt do të ndalej në tranversë. Më vonë do të paraqitej një mundësi e mirë për Fred, por goditja u tij u prit nga Milinkovic-Savic. Për ta mbyllur me talentin e Real Madrid, Rodrygo, që pati një shans të ngjashëm me atë të Casemiro, por pa shënjestruar si duhet portën. Brazili kështu qëndron në krye të grupi G me 3 pikë, po aq sa edhe Zicra, që do të jetë edhe kundërshtari i radhës për ekipin ‘Seleçao’.