Botërori/ Argjentina kualifikohet më tej dhe mëson kundërshtarin, ashtu sikurse edhe Polonia

Sport

Ndonëse e nisi me humbje aventurën në Botërorin e Katarit, Argjentina ia ka dalë të kualifikohet në raundin e 1/8-tave të kompeticionit. Përfaqësuesja albiçeleste e bëri një gjë të tillë, duke fituar ndeshjen e 3-të dhe të fundittë Grupit C, atë përballë Polonisë, me rezultatin 2-0.

Amerikano-latinët e dominuan pjesën e parë, por përsëri nuk arritën që të shënonin dot. Madje, këtë nuk e bënë as në minutën e 39-të, kur Lionel Messi gaboi nga pika e bardhë e penalltisë . argjentinasi ka humbur 2 nga 3 penallti të ekzekutuara në Botëror, duke u bërë kësisoj lojtari që ka gabuar më shumë në historinë e një kompeticioni të tillë nga pika e bardhë.

Megjithatë, pjesa e dytë do të sillte më shumë fat për të besuarit e Lionel Scalonit. Sapo nisi, që në të 46-tën, Mac Allister e dërgoi topin në fundin e rrjetës, duke dërguar të gjithë tifozërinë argjentinase në festë.

Më pas, në të 67-tën, Julian Alvarez dyfishoi shifrat, duke shënuar edhe golin e sigurisë për të tijtë. Në këtë rast, sulmuesi u asistua nga Enzo Fernandez, me këtë të fundit që vetëm 21 vjeçe 317 ditë, u bë lojtari më i ri që asiston në një Kupë Bote për Argjentinën, që nga viti 2006-të.

Në këtë mënyrë, Argjentina u rendit në vendin e parë të Grupit C, ndjekur nga Polonia e vendit të dytë. Këta të fundit, ndonëse u mposhtën nga Messi me shokë, sërish ia dolën të siguronin biletën për më tej me vetëm 4 pikë të grumbulluara, por aq sa Meksika, por amerikano-latinët u renditën të 3-tët si pasojë e golavarazhit më të keq dhe fitorja e tyre 2-1 ndaj Arabisë Saudite nuk ishte e mjaftueshme për të shkuar më tej.

Në kushte si këto, Meksika eliminohet që në fazën e Grupeve të Botërorit, për herë të parë që nga viti 1978-të.

Sa i përket skuadrave të kualifikuara në raundin tjetër, Argjentina do përballet me Australinë, kurse Polonia me kampionët në fuqi të Francës.