Kroacia është finalistja e Botërorit që do të sfidojë Francën të dielën në “Luzhniki Stadium”. Ky ishte verdikti i gjysmëfinales së dytë të së mërkurës, ku kroatët mundën 2-1 Anglinë, pas 120 minutash lojë. 90 minutat u mbyllën në barazim 1-1 për herë të tretë radhazi sa i takon Kroacisë, si dhe për herë të dytë për “Tri Luanët”. Avantazhin fillimisht e fiksoi Tripier përmes një goditjeje të saktë dënimi në minutën e 5-të. Pas shpërdorimeve të shumta të rasteve nga anglezët për dyfishimin e rezultatit, është konsumuar ligji i pashkrauar i futbollit “kur nuk shënon do e pësosh”.
Ndodhi në të 68-tën kur Perisic konkretizoi me një gjysmë akrobacie krosimin e përpiktë të Vrsajlko. Vetëm 3 minuta më pas, sërish Perisic pati rastin e artë për të kaluar ballkanasit në avantazh. Por topi u përplas në shtyllë, duke i mohuar golin vendimtar. Atë që në fakt thjesht vonoi pasi erdhi në minutën e 109-të të shtesave. Me protagonist sërish lojtarin e Interit, i cili shërbeu në zonën angleze me kokë për Mandzukic, i cili lëshoi një diagonale të pakapshme për Pickford. Anglia u mundua të reagojë, por pa mundur të depërtojë me sukses drejt portës së Subasic. E si përfundim, festa u takoi ballkanasve, që arrijnë për herë të parë në një finale të tillë.