Botërori 2018, ja përballjet më të forta

Sport

world cup
Ndeshja përuruese e këtij Botërori në Moskë, Rusi-Arabi Saudite, është ajo mes dy përfaqësueseve më të dobëta ndër 32 pjesëmarrëset, pasi kanë koeficientin më të ulët në FIFA dhe renditen respektivisht në vendin e 70-të (Rusia) dhe të 67-të (arabët) në botë. Gjithsesi nuk do të mungojnë sfidat e forta në fazën e grupeve. Duke nisur që 24 orë pas nisjes së turneut, në ora 20:00, kur direkt përplasen kampionët e Evropës në fuqi, Portugalia, me ish-kampionët kontinentalë dhe botërorë, Spanjën. Praktikisht kjo sfidë vendos përballë njëra-tjetrës dy nga Kombëtaret më të suksesshme të dekadës së fundit. Do të jetë një derbi iberik, menjëherë vendimtar për kreun e Grupit B.
E pasur me duele mjaft interesante është edhe e diela e 17 qershorit. Fillimisht në ora 17:00, vjen përsëritja e gjysmëfinales së “Confederations Cup” mes Gjermanisë dhe Meksikës për grupin F, me Lëvin dhe të besuarit e tij që duhet të konfirmojnë rolin e protagonistes edhe në këtë Botëror. Ndërsa mbrëmja e ditës së katërt të “Rusi 2018” (ora 20:00) i rezervohet premieres së Brazilit të shumëpritur, kundër Zvicrës me katër lojtarë me prejardhje shqiptare në gjirin e vet, në takimin e vlefshëm për grupin E.

rusi2018

E enjta e 21 qershorit servir Argjentinë-Kroaci, sfidën e parë direkte për kreun e Grupit D, i cilësuar si “grupi i vdekjes’. Përballje që premton spektakël pasi janë jo vetëm Messi, Di Maria e Dibala nga njëra anë, por edhe Modric e Rakitic nga ana tjetër. Pa harruar as Serbi-Zvicr të 22 qeshorit, me interes patriotik për ne shqiptarët. Për të mbyllur rrethin e sfidave të mëdha të fazës së grupeve, më 27 qershor janë në program Serbi-Brazil për grupin E dhe një ditë më pas, supersfida e Grupit G, Angli-Belgjikë, në ora 20:00. Për t’u veçuar janë edhe sfidat që mund të ofrojnë të tetat e finaleve duke filluar nga fundi i qershorit, me Francën që pritet të kryqëzohet me njërën nga Argjentina e Kroacia. Pa harruar Portugalinë ose Spanjën, që mund të ndeshet me Uruguajin. Gjërat më të lehta duken për Gjermaninë e Brazilin, të cilat me shumë mundësi do të gjejnë përballë njëra-tjetrën vetëm në finalen e 15 korrikut.