Bota e sportit, mesazhe në nder të Kobe Bryant

Sport

Lajmi i aksidentit me helikopter që i mori jetën legjedës së basketbollit, Kobe Bryant ka tronditur praktikisht të gjithë botën e sportit, që s’ka kursyer mesazhet. Neymar, ylli i Paris SG, ka dashur t’i dedikojë golin e shënuar ndaj Lilës pikërisht ish-basketbollistit. Si një fans i legjendës së NBA, ai nuk ka dashur të festojë por thjesht bëri me duar 24-n, numrin historik që i takonte Bryant, pa harruar më pas të drejtohet me gisht nga qielli. Por më pas nuk mungoi edhe një mesazh ngushëllimi në rrjetet sociale.
Edhe Cristiano Ronaldo ka reaguar për humbjen e parakohshme, duke shkruar se ishte zemërthyer për atë që kishte ndodhur, teksa e ka konsideruar Bryant një legjendë të vërtetë dhe një frymëzim për të gjithë. Gjithashtu, i tronditur është shfaqur edhe Messi, i cili në Instagram ka reguar, duke shkruar se nuk kishte fjalë. Sipas “El Pulces” ishte kënaqësi që e kishte njohur dhe kishte ndarë disa momente të bukura. Ndërsa si përfundim e ka quajtur “një gjeni si pak të tjerë”.
Paul Pogba ka kujtuar shprehjen e famshme të Bryant “Heronjtë shkojnë e vijnë, Legjendat janë të përjetshëm”, ndërsa ka shprehur edhe ngushëllimet për familjen. Kurse Ronaldinho është mjaftuar vetëm me frazën “Prehu në paqe, miku im!”. “Një legjendë e vërtetë. Megjithëse është e vështirë të besohet, me siguri do të na mungosh”, ka shkruar nga ana tjeër Luca Modriç. Gjithashtu edhe tenisti Nick Kyrgios ka dashur të kujtojë Bryant në një mënyrë origjinale. Tepër i mallëngjyer ai mbante veshur fanelën e Lakers me emrin e tij, para ndeshjes në Australian Open përballë Nadal.