Borussia Dortmund vs PSG, TS1 HD, 21:00

Sport

Edin Terziç, trajneri i Borussia Dortmund:

“Ky ka qenë një grup i jashtëzakonshëm dhe kështu do të jetë deri në fund. Fakti që të gjitha ekipet janë në garë për t’u kualifikuar, është mëse mjaftueshëm për të thënë se rruga ka qenë e vështirësisë maksimale. Përgjatë 5 ndeshjeve të para, kemi parë kualitetin e secilit kundërshtar. Mirëpo, gjithashtu kemi parë se edhe ata kanë pika të dobëta, në veçanti kur kanë luajtur jashtë shtëpie. Në ndeshjen e sotme është e rëndësishme që të gjejmë energjinë e duhur për të dhënë më të mirën në fushën e lojës. Kjo është mënyra e vetme për ta detyruar kundërshtarin të mos bëjë dot atë që e ka zakon. Parisi ka nevojë për fitore, por ata duhet të dinë se edhe ne gjithashtu duam të fitojmë.

Nuk ka asnjë dyshim se Parisi është një skuadër me lojtarë të shkëlqyer, e mbushur me cilësi në të gjitha repartet, në veçanti në manovrën sulmuese. Për këtë arsye, duhet të mbrojmë fort dhe të tregohemi mjaft të vëmendshëm. Nëse qëndrojmë kompakt përgjatë gjithë sfidës, atëherë do të jetë shumë e vështirë të pësojmë gol. Kompaktësia është pikërisht çelësis i suksesit në të tilla nivele. Do të luajmë në shtëpinë tonë, përpara 81 mijë tifozëve, kështu që është mëse mjaftueshëm për të gjetur motivim dhe për të dhënë më të mirën e mundshme në fushën e lojës. Urojmë të kualifikohemi në raundin e 1/8-tave si të parët e grupit.”

Nico Schlotterbeck, mbrojtësi i Borussia Dortmund:

“Sonte duam të luajmë një ndeshje mjaft të mirë ndaj PSG. Nëse e bëjmë këtë, atëherë do të kemi një mundësi të mirë për të fituar. Duam të kualifikohemi si të parët e grupit, kështu që kaq është mjaftueshëm për gjetur motivimin maksimal. Ashtu sikurse e tha edhe trajneri, duhet të tregohemi kompaktë dhe mbi të gjitha, duhet të mbrojmë mirë.

Parisi është një skuadër e shkëlqyer, që mund të të ndëshkojë në çdo moment të mundshëm. Kjo është arsyeja kryesore që në një mbrëmje të tillë, e kemi të domosdoshme të ndërtojmë një ekuilibër perfekt në prapavijë.

Në ndeshjen e parë ndaj Parisit u mposhtëm 3-0, por e them me bindje se kemi nxjerrë mjaft mësime nga një rezultat i tillë. Reagimi në ndeshjet pasuese ishte i duhuri dhe ky është një tregues i mjaftueshëm se ne mund të luajmë ndaj çdo kundërshtari të mundshëm dhe mund të konkurojmë në nivelet më të larta.”

Luis Enrique, trajneri i PSG:

“Kemi arritur të shënojmë në çdo ndeeshje të Champions League që kemi luajtur përgjatë këtij sezoni dhe ky është një factor që na jep besim se edhe sonte do të bëjmë të njëjtën gjë. E dimë se rruga jonë e vetme për t’u kualifikuar në raundin tjetër është vetëm fitorja dhe kemi ardhur këtu pikërisht për një gjë të tillë. Një fitore do të na mundësonte gjithashtu të renditemi edhe si të parët e grupit, kështu që shpërblimi do të ishte i dyfishtë.

Mirëpo, shkalla e vështirësisë do të jetë e nivelit maksimal. Përballë do të kemi një skuadër mjaft të fortë dhe të komplikuar. Sidoqoftë, më e rëndësishme se gjithçka tjetër është të përqendrohemi vetëm në planin tonë dhe të mos vendosemi nën presion. Do të përpiqemi të ndjekim pikërisht këtë rrugë, me shpresën se në fund, do arrijmë të marrim fitoren.

Motivimi? Klubet e mëdhënj luajnë ndeshje të mëdha thuajse çdo muaj. Lojtarët duan të përjetojnë sa më shumë mbrëmje të tilla dhe kjo është diçka që mund të dallohet qartë në stërvitje. Objektivi ynë është gjithmonë i njëjtë dhe nuk ndryshon asnjëherë. Për ndeshje si këto, nuk është e nevojshme të motivosh lojtarët. Me rëndësi është të ruash qetësinë dhe të kesh nën kontroll pasionin e lojtarëve. E dimë rëndësinë dhe delikatesën e kësaj ndeshjeje, kështu që do ta përballojmë atë me eksperiencën që kemi.

Mungesa e Dembele? Jam i lumtur me lojtarët që kanë luajtur ndaj Nantes. Futbolli është një sport kolektiv, është një përgjegjësi që duhet ndarë me të tjerët. Me skuadrën që kam në dispozicion, është shumë e thjeshtë për të zëvendësuar lojtarët që mungojnë. Mungesa e një lojtari nuk mund të përdoret asnjëherë si justifikim dhe asnjëherë nuk do të më dëgjoni të ankohem për diçka të tillë.

Sa i përket grupit, gjëja pozitive e kësaj mbrëmjeje, është fakti se e kemi vetë në dorë fatin tonë dhe kemi mundësi që të kualifikohemi si të parët në renditje. Kështu që synimi është vetëm fitorja dhe jam i bindur se do të kemi sukses. Logjikisht, diferencat e skuadrave në një grup të tillë, janë shumë të vogla. Mjafton të shohësh se kemi ardhur në ndeshjen e fundit dhe vetëm një skuadër ka arritur të kualifikohet, kurse 3 të tjera janë ende në garë.”

Marquinhos, mbrojtësi dhe kapiteni i PSG:

“Nëse do të mendoja se skuadra nuk ka karakter për të fituar sonte, atëherë nuk do të isha fare këtu. Kemi punuar mirë në stërvitje gjatë javës dhe kemi një trajner mjaft kërkues. Të gjithë janë gati dhe të emocionuar. Kjo është nga ato ndeshje, që gjithëkush do të donte të ishte pjesë e saj dhe të jepte më të mirën e mundshme. Aspekti pozitiv është fakti se kemi vetë në dorë fatin tonë.

Sonte luajmë jashtë shtëpie dhe është mëse normale që shkalla e vështirësisë të jetë më e lartë, ashtu sikurse është edhe për skuadrat e tjera kur vijnë në Parc des Princes. Në shtëpi kemi mbështetjen e tifozëve tanë, kurse e njëjta gjë është edhe për kundërshtarin. Kur kemi luajtur jashtë shtëpie, kemi bërë disa gabime të vogla. Kemi punuar mbi detaje të tilla dhe jemi gati.

Kur luan të tilla ndeshje, presioni është i pashmangshëm, por unë mendoj se duhet të shohim aspektin pozitiv dhe presionin ta kthejmë në motivim. Kjo është prej atyre sfidave ku luhet fati ynë europian, kështu që kaq është mjaftushem për t’u karikuar në maksimum. Mendoj se do të jetë prej atyre sfidave që do të vendoset nga detajet e vogla, prandaj duhet të ruajmë qetësinë dhe të qëndrojmë të vëmendshëm.

Personalisht, jam rikthyer nga dëmtimi dhe jam gati, në 100% të formës. Kam pasur kohë të mjaftueshme për t’u përgatitur siç duhet dhe në ndeshjen e fundit në kampionat, u ndjeva shumë mirë.”