Borussia Dortmund është vetëm një hap larg historisë. Disfata e papritur e Bayernit të Mynihut në javën e 33 të kampionatit, ndaj Leipzig në shtëpi, me rezultatin 3-1, ka shërbyer automatikisht si një dhuratë e madhe për klubin verdhezi.
Djemtë e drejtuar nga Edin Terziç arritën të fitonin me sukses ndaj Augsburgut në transfertë, me shifrat 3-0, duke u ngjitur në këtë mënyrë në krye të tabelës së klasifikimit në kuotën e 70 pikëve, dy më tepër sesa rivalët bavarezë.
Kjo do të thotë, se në javën e ardhshme, që është edhe njëkohësisht e fundit për këtë edicion në Bundesligë, Dortmundi mund të shkruajë historinë. Mjafton një fitore ndaj Mainz në shtëpi për t’u shpallur kampionë të Gjermanisë, për të 9-tën herë, e për të shembur kësisoj dominimin 10 vjeçar të Bayernit. Duket shumë e vështirë që një gjë e tillë të mos ndodhë në “Signal Iduna Park”, aty ku krijohet një atmosferë, e cila konsiderohet më e zjarrta dhe më spektakolarja në Europë.
Nga ana tjetër, Bayerni do të shpresojë që Dortmundi të gabojë, në mënyrë që të mbrojë titullin. Sido që të shkojë, drejtuesit e klubit bavarez, e konsiderojnë të dështuar këtë edicion, sepse rrezikojnë që ta mbyllin vitin futbollistik pa asnjë trofe. Vlen të theksohet se edhe ndërrimi I trajnerit në mes të rrugëtimit, me shkarkimin e Nagelsmann dhe emërimin e Tuchel, rezultoi një lëvizje e gabuar e hierarkisë bavareze.