Një situatë e pazakontë ka ndodhur në konferencën për shtyp të trajnerit Gustavo Poyet. Pas fitores së skuadrës së tij, Bordeaux, në sfidën e Europa League ndaj Mariupol, ai ka sulmuar klubin gjatë konferencës për shtyp. Poyet ka anashkaluar pyetjen rreth sfidës së luajtur, duke thënë thjesht se ishin skuadra më e mirë dhe e merituan, për të shpërthyer në akuza ndaj klubit. Më së shumti, këto akuza të trajnerit 50-vjeçar janë rreth merkatos, dhe kjo vjen për shkak të sulmuesit të skuadrës, Gaetan Laborde drejt Montpellier. Sipas trajnerit uruguaian, klubi ka vepruar në mënyrë të padrejtë ndaj tij, lojtarëve dhe tifozëve duke vepruar pa diskutuar më parë me të.
Poyet nuk e kanë mbajtur nervat dhe i është hakërryer edhe përfaqësuesit të klubit, që kërkonte të ndalonte konferencën. Në fund, ka qenë vetë Poyet që pasi përfundoi deklaratat, doli nga salla e konferencave i tërbuar. Por kjo sjellje e tij nuk mund të shpëtonte pa ndëshkim nga ana e klubit. Vetëm disa orë pas ngjarjes, klubi njoftoi se e ka pezulluar trajnerin nga detyra. Vetë presidenti i Bordeaux, Stephane Martin, ka deklaruar se Poyet i kaloi caqet dhe për këtë klubi vendosi të marrë masa. Bordeaux kaloi në fazën “play-off” të Europa League, pasi mposhti ukrainasit e Mariupol me rezultatin e përgjithshëm 5-2.