Booker dhuron spektakël dhe mposht Jokic, Toronto merr fitore me peshën ndaj Cleveland

Sport

Devin Booker është gati për fazën ‘PlayOff’. Ylli i Phoenix Suns ka bërë një paraqitje të madhe në ndeshjen që skuadra nga Arizona fitoi me rezultatin 140-130 ndaj Denver Nuggets, në parketin e këtyre të fundit. Booker shënoi një rekord personal në këtë sezon të NBA, me plot 49 pikë të shënuara, teksa shërbeu edhe 10 asiste. Lajm i rëndësishëm për Phoenix ishte edhe rikthimi i Chris Paul, i cili duket se ka lënë pas dëmtimin dhe në ndeshjen ndaj Denver, shënoi 17 pikë e shërbeu 13 asiste. Takimi ishte i barabartë deri në mesin e periodës së katërt, aty ku ata Phoenix treguan diçka më shumë sa i përket saktësisë në gjuajtje. Nuggets u mbështetën tek lideri i tyre, Nikola Jokic, që u ndal në 28 pikë, 6 ribaunde e po aq asite, të cilat nuk e shmangën këtë humbjen numër 31 në këtë sezon për Denver. Ekipi nga Kolorado vijon të mbajë vendin e gjashtë të renditjes në ‘Konferencën e Perëndimit’, që gjithësesi kërcënohet nga Minnesota, që ka një fitore më pak. Ndërsa Phoenix është skuadra e vetme që arrin kuotën e 60 fitoreve në këtë sezon, çfarë i sheh Suns si favoritë absolutë.

Përballje e rëndësishme ishte edhe ajo mes Cleveland Cavaliers e Toronto Raptors, e fituar nga këta të fundit me rezultatin 117-104. Kanadezët tashmë do të kërkojnë të marrin përfundimisht vendin e gjashtë të ‘Konferencës së Lindjes’, ku për momentin e vetmja gjë që mban Cavaliers mbi ta, është pikë-avarazhi. Sa i përket sfidës, Raptors e morën nën kontroll brenda pjesës së parë. Kamerunasi Pascal Siakam bëri një ndeshje të madhe me 35 pikë, 5 ribaunde e 6 asiste, ndërsa tek Cavaliers ranë në sy LauriMarkkanen me 20 pikë apo edhe Darius Garland, me 18 pikë e 10 asiste.

Chicago Bulls vazhdon të vuajë mungesën e rezultateve, duke u mposhtur kësaj radhe me rezultatin e thellë 126-109 nga Neë Orleans Pelicans. Këta të fundit vinin më shumë se të motivuar për të marrë një fitore, pasi synojnë të jenë pjesë e ‘play-in’, si një mundësi për të luajtur më pas në fazën finale të sezonit. Devonte Graham shënoi 30 pikë, kurse CJ McCollum 25. Chicago ndërkohë vinte në këtë ndeshje pa DeMar DeRozan. Zach LaVine në këtë mënyrë duhet të bënte liderin dhe 27-vjeçari në fakt e bëri detyrën e tij, me 39 pikë të shënuara, një rekord personal në këtë sezon. Por Bulls-at shfaqën sërish probleme në fazën mbrojtëse, duke marrë humbjen numër 31 në këtë sezon. Milwaukee ndërkohë nuk hasi vështirësi ndaj Washington Wizards, duke triumfuar 114-102, ndërkohë që nuk nuk ndalen as ata të Memphis Grizzlies, që kërkojnë të konsolidojnë vendin e dytë në ‘Konferencën e Perëndimit’, pasi fitores 133-103 ndaj Indiana Pacers.