Leonardo Bonucci do të nis një kapitull të ri në karrierën e tij. Kapiteni i përfaqësueses italiane është shumë pranë nënshkrimit me Unionin e Berlinit. Juventusi nuk e ka më në plane dhe që nga fillimi i fazës përgatitore qëndërmbrojtësi ka përfunduar jashtë skuadre duke u stërvitur në mënyrë individuale, për këtë arsye ky largim nuk është befasues , por thjesht rrjedhojë e situatës ku ai ndodhet.
36 vjecari i kërkoi Juves në mënyrë zyrtare që të integrohej në skuadër, madje në këtë aspekt edhe shoqata e futbollistëve i kërkoi klubit bardhezi që Bonucci të përfshihej sërish në ekip, por pavarësisht gjithckaje që lojtari ka dhënë për ‘Zonjën e Vjetër”, klubi e ka marr vendimin që ai nuk do të jetë më i përfshirë në skuadër, megjithëse ka edhe një vit kontratë me Juven.
Në këtë mënyrë transferimi tek Unioni i Berlinit duket zgjidhja më e mirë për të gjitha palët. Bonucci do të kishte mundësinë që për herë të parë të provonte një kampionat tjetër që nuk është ai italian, Juventusi do të lirohej nga paga prej 6.5 milion eurosh që përfiton futbollisti dhe Unioni i Berlinit do të afronte një emër të rëndësishëm dhe me shumë përvojë i cili do të ndihmonte së tepërmi në rritjen e lojtarëvë të rinj.
Kjo etapë në Gjermani ka gjasa të jetë edhe e fundit në karrierën e Leonardo Bonuccit, një karrierë e shënjuar nga suksese të mëdha, mbi të gjitha 9 titujt kampion me Juven dhe një titull kampion Europe me Itainë në 2021-in.