Bonucci rikthehet tek Juventus, Milan firmos me Higuain dhe Caldara

Sport

Caldara
Aksi Torino-Milano është finalizuar edhe këtë merkato verore. Leonardo Bonucci nuk do të jetë më pjesë e kuqezinjve, teksa ka qenë vetë mbrojtësi që ka kërkuar rikthimin pas vetëm 1 viti tek skuadra e Juventus. Bonuccin e ka tërhequr ideja e të luajturit së bashku me Cristiano Ronaldon, me të cilin mundësitë për të triumfuar në Champions League janë mjaft të larta. Por rikthimi i tij tek bardhezinjtë i ka kushtuar Bonuccit, pasi ka pranuar të ulë pagën e tij deri në 5.5 milionë euro në sezon. Nga ky transferim, Milani ka afruar Mattia Caldaran, si pjesë e shkëmbimit kokë më kokë me Bonuccin, ndërkohë që nuk do të ketë asnjë klauzolë riblerjeje për të riun nga ana e Juventus, siç ishte aluduar së fundmi.
Megjithatë çelësi që lejoi shkëmbimin mes Bonucci e Caldara, ishte transferimi në Milano edhe i Gonzalo Higuain. Argjentinasi kaloi tek kuqezinjtë si huazim për 1 vit me të drejtë blerjeje. Huazimi i lojtarit i kushtoi Milanit 18 milionë euro ndërkohë që për të blerë përfundimisht sulmuesin, duhet të paguajnë edhe 36 milionë euro të tjera në arkat e Juventus. Në Milano, Higuain është pritur nga një numër i madh tifozësh, që shohin tek argjentinasi, sulmuesin që mund t’u garantojë më shumë se të paktën 15 gola, ndërkohë që Caldara, së bashku me Romangolin, cilësohen si shtylla e qendërmbrojtjes së kombëtares italiane.