Bologna kualifikohet në gjysmëfinale të Kupës së Italisë. Në çerekfinale, skuadra kuqeblu eliminoi Atalantën në transfertë, duke e mundur me rezultatin 1-0. Golin e vetëm të takimit e shënoi Santiago Castro në minutën e 80, i cili e dërgoi skuadrën e drejtuar nga Vinçnzo Italiano në 4 më të mirat e kompeticonit.
Duke marrë parasysh rezultatet e viteve të fundit, apo edhe të këtij sezoni, në letër, Atalanta konsiderohej favorite. Edhe me stadiumin të mbushur plot, ekipi bergamask nuk ia doli të triumfonte dot përpara publikut vendas, ndonëse arriti të krijonte disa mundësi të mira shënimi, qoftë në pjesën e parë, ashtu edhe në pjesën e dytë.
Në kushte si këto, në fund, ishte pikërisht Bologna ajo që u kualifikua më tej. Skuadra nga Emilia Romagna ka shkuar në gjysmëfinale të Kupës së Italisë, për herë të parë që nga viti 1999. Që prej asaj kohe, Bologna kishte mbërritur dy herë deri në çerekfinale, mirëpo nuk kishte mundur të shkonte dot më larg.
Këtë herë, meritat padyshim i shkojnë trajnerit Vinçenzo Italiano, i cili, ndonëse nuk e nisi sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme, duket sikur pak nga pak, ekipi ka arritur të kuptojë filozofinë e tij të lojës.
Në gjysmëfinale, Bologna do të ndeshet me fituesin e çiftit Juventus-Empoli.