Boks, Wilder pranon ofertën e Joshuas, ndeshje mes tyre brenda vitit

Sport

Deontay Wilder dhe Anthony Joshua

Deontay Wilder dhe Anthony Joshua do të ndeshen brenda vitit 2018 për të unifikuar titujt botërorë të peshave të rënda.
Është vetë boksieri amerikan Wilder që ka konfirmuar gjithçka me anë të një postimi në rrjetet sociale. Ai u tregon fansave se ka pranuar ofertën e Joshuas për ta zhvilluar ndeshjen e tyre në Britaninë e Madhe. Edhe menaxheri i “Bronze Bomber”, Shelly Finkel ka deklaruar për “ESPN” se i ka pranuar të gjitha kushtet e promotorit të Joshuas, Eddie Hearn.
Kështu për herë të parë që nga viti 2000, boksi do të shohë një kampion të unifikuar në peshat e rënda. Detajet e tjera rreth sfidës do të bëhen publikime vetëm pas firmosjes së kontratave përkatëse.
Nga ana tjetër, Wilder në mesazhin e tij në rrjetet sociale shton se pavarësisht se ai pranoi të ndeshet me AJ në Britani, kjo nuk do të thotë që oferta e tij prej 50 milionë dollarësh për t’u ndeshur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk vlen, çfarë nuk e përjashton një ndeshje “rematch” mes Deontay Wilder dhe Anthony Joshua.
Të dy boksierët janë ende të pamposhtur në karrierën e tyre. Wilder, si kampion botë në WBC numëron 40 fitore ndërsa Joshua nga ana tjetër, me 21 fitore ka arritur të sigurojë 4 tituj, ato të IBF, WBA, WBO dhe IBO.