Në sport, mjafton një ndeshje, një pikë, një çast i vetëm për të të ndryshuar ecurinë e gjithçkaje që ke ndërtuar. Shpesh, momente të tilla kanë bërë diferencën mes atyre që janë shndërruar në kampionë të mëdhenj dhe atyre që kurrë nuk arritën të shpalosnin si duhet talentin e tyre. I tillë është dueli i 20 dhjetorit për boksierin shqiptar Jurgen Uldedaj, i cili në ‘main-event’-in e një mbrëmjeje spektakolare në Zyrih të Zvicrës, do të sfidojë boksierin boshnjak, Edin Puhalo. Një përballje kjo, që vendos Uldedajn në një pozitë aspak të thjeshtë, pasi përpara syve të tij, do të qëndrojë një gjigand me eksperiencë, që ka fituar 24 ndeshje nga 26 në karrierën e tij, nga të cilat, 23 kanë qenë më ‘knock-out’. Për më tepër, presioni është edhe më i madh mbi boksierin tonë për shkak se çdo gjë do të zhvillohet përpara syve të disa prej emrave më mëdhenj të botës së boksit, në përpjekjen e 27-vjeçarit lezhian për të bërë hapin e madh të karrierës së tij. Prej muajsh, Jurgeni vazhdon të stërvitet intensivisht, madje duke mos marrë as edhe një ditë pushim që nga fitorja që siguroi në Dubai ndaj britanikut Steven Ward, më 24 korrik. Në anën tjetër, Edin Puhalo vjen pasi në karrierën e tij ka siguruar fitore të rëndësishme, ndaj emrave me peshë si Roman Golovashchenko, Nils Schmidt apo Kai Kurzaëa. Jurgeni ndërkohë kërkon të çojë në 19 numrin e fitoreve të tij dhe duke ditur gjithë vëmendjen që do të marrë ky event, presioni bie absolutisht mbi 27-vjeçarin shqiptar. Më 20 dhjetor, arena ‘The Hall’ në Zyrih do të jetë e mbushur me tifozët shqiptarë, në mbështjeten e pakursyeshme ndaj Jurgenit. Ndërkohë të gjithë shqitparët, do të kenë mundësinë të përjetojnë emocionet e të gjithë eventit, duke nisur nga ora 18:00, në ‘Tring Sport News’, për të mos humbur as edhe një çast nga arena, deri në nisjen e ‘main-event’-it, aty ky të gjithë, presim një nga ato ndeshjet që folëm në fillim të kronikës, një nga ato ndeshje që mund të ndyshojë rrjedhën e gjithçkaje, jo vetëm për Jurgenin, por për të gjithë boksin shqiptar.