Lajme të këqija për boksierin Vasyl Lomachenko. Kampioni i botës në peshat e lehta është detyruar t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale në shpatull. 30-vjecari i njohur ndryshe si “The Matrix” mundi më 12 maj Jorge Linaresin duke u bërë kampion i trefishtë për sa i përket kategorisë së peshave të lehta. Ukrainasi hyri në histori pasi arriti këtë nivel pas vetëm 12 ndeshjesh si profesionist, gjë që nuk ishte parë kurrë në botën e boksit. Në atë ndeshje Loma’ tërhoqi shpatullën duke lënduar edhe ligamentin. “E ndjeva që diçka nuk shkoi mirë, pasi gjithcka m’u shoqërua me dhimbje të forta” tha 30-vjecari menjëherë pas sfidës. Lomachenko mban titujt e peshave super-të lehta, të mesme dhe të lehta.
Në Lojërat Olimpike të mbajtura në Pekin dhe Londër ai pati arritur majat me 2 medalje ari, ndërsa mban një statistikë të frikshme pasi si amator ka diskutuar plot 397 ndeshje, prej të cilave vetëm në një prej tyre nuk ka dalë fitues. Lajmin për operacionin e ka bërë me dije vetë 30-vjecari, i cili postoi në rrjetet sociale momente të vizitës mjekësore pak përpara ndërhyrjes, ndërsa menaxheri i tij Bob Arum është shprehur se kjo ndërhyrje do ta mbajë atë larg ringut deri në muajin dhjetor. Ky lajm ka mërzitur tejmase sidomos sportdashësit ukrainas, të cilët pas largimit të vllezërve Klitchko, kërkojnë të kenë të tjerë yje në botën e boksit.