Anthony Joshua nuk ka kohë për të humbur. Kampioni i botës në IBF, WBA, IBO dhe WBO i ka dhënë 2 javë kohë kampionit të WBC, amerikanit Deontay Wilder, për të vendosur nëse ata do të ndeshjen me njëri-tjetrin apo jo. Një përplasje mes 2 boksierëve është përfolur prej kohësh, në një ndeshje që veç vëmendjes së jashtëzakonshme që do të merrtë prej faktit se të dy janë të pamposhtur, do të unifikonte në 1 kampion të vetëm të gjithë titujt e kategorisë së peshave të rënda. Wilder dhe Joshua në fakt kanë pranuar ta zhvillojnë një ndeshje të tillë, por problemi duket të jetë vendi se ku do të zhvillohet.
Wilder i ofroi boksierit britanik 50 milionë dollarë që dueli të zhvillohej në Amerikë, ndërsa Joshua ka këmbëngulur që të ndeshen gjatë muajti shtator, në stadiumin “Wembely” të Londrës apo në Kardif. Menaxheri i Joshuas, Eddie Hearn ka pohuar se i kanë lënë vetëm 2 javë kohë Widlerit për të arritur një marrëveshje, në të kundërt, Joshua do të vazhdojë kalendarin e tij të ndeshjeve, pasi është i detyruar të ndeshet për titullin e WBA me Alexander Povetkin, ky i fundit i mandatuar pikërisht nga WBA pas fitores që bëri jo pak bujë ndaj David Price, e cilësuar si një fitore brutale e boksierit rus. Ndeshja mes “AJ” dhe Povetkin pritet të zyrtarizohet brenda javës, ndërsa lëvizja e radhës tashmë i takon Deonaty Wilder.