Bogdani: Kush janë shqiptarët që sugjeroj për klubet evropiane

Sport

“Ishte si një gol i jashtëzakonshëm. Një gjest i bukur kundrejt popullit italian. Një shenjë mirënjohjeje për të gjithë ndihmat që kemi marrë përgjatë viteve”. Kështu ka reagua edhe Erjon Bogdani për raportet e forcuara akoma më shumë javët e fundit, midis Shqipërisë dhe Italisë, pas mbështetjes që ka dhënë vendi ynë. Ish-sulmuesi i Kombëtares, me një të kaluar në Serinë A italiane, është karantinuar në Salerno, aty ku jeton bashkë me të shoqen dhe fëmijët. “Neve nuk do t’i harrojmë kurrë vitet ’90. Italianët na hapën dyert. Dhe është bukur që tani neve patëm mundësinë për t’ua shpërblyer sadopak. Në këtë mënyrë treguam edhe se Shqipëria nuk është vetëm vendi i krimit, por ka edhe shumë specialistë në gjendje për të ndihmuar. Jemi krenarë që mund të japim kontributin tonë. Italia na ka ndihmuar shumë, kur kemi pasur nevojë. Ndërsa tani është bukur që përpiqemi të japim një dorë, megjithëse nuk jemi një vend veçanërisht i pasur apo ndonjë nga ‘fuqitë botërore'”, ka vijuar ish-bomberi. Ai ka prekur edhe ndërprejen e futbollit, duke thënë që megjithëse “ky sport është i rëndësishëm për Italinë sidomos në planin ekonomik, për momentin duhet të kalojë në plan të dytë. Eshtë e drejtë të qendrojë i ndaluar, sepse duhet të mendojmë të shpëtojmë familjet tona. Vetëm më vonë mund të mendojmë për fushën. Ndonëse, sipas meje, do të duhet akoma kohë për të kaluar përfundimisht problemin. Për mua, rreziku është ende tepër i madh për të rifilluar”.
Bogdani ishte njeriu që i cili i dha mundësinë Marash Kumbullës për të debutuar me fanelën kuqezi, kur ishte trajner i Kombëtares U-19. Për këtë, “Bogu” kujton: “Ishte viti kur duhet të luanin të gjithë lojtarët e datëlindjes ’99. Por ai luante, megjithëse ishte një 2000-sh. Pastaj qendroi edhe për vitin e mëpasshëm. Eshtë një mbrojtës, të cilin tashmë e njohin të gjithë. Ai i ka djegur të gjitha etapat e mundshme. Po luan vërtet mirë, edhe pse nuk ka debutuar kurrë në Serie B dhe po sillet si të ishte një veteran. Luan shumë mirë edhe përpara sulmuesve të fortë. Di të lexojë shumë mirë aksionet, aq sa paraprin edhe lojtarët e shpejtë. Me kokë është shumë i zoti, aq sa edhe ka shënuar shumë. Eshtë i ri, por me mendjen e një veterani. Bëhet fjalë vërtet për një investim të mirë. Jo më kot e duan shumë klube”. Gjithashtu, ish-sulmuesi ka dhënë edhe disa sugjerime lojtarësh shqiptarë për klubet e Serisë A: “Edhe Rrahmani ka qenë me Shqipërinë, por më pas zgjodhi Kosovën. Në itali po tregon se është një lojtar i shkëlqyer për këtë kampionat. Një tjetër emër është Milot Rashica. Edhe ai luan me Kosovën. Bëhet fjalë për një anësor, i cili luan si në të majtë, ashtu edhe në të djathtë. Po bën paraqitje të mira në Gjermani. Të mos harrojmë që flitet për djem të rinj, të cilët nuk duhen djegur. Por kur dikush e meriton, i duhet dhënë një dorë”, mbylli “Bogu”.