Humbja në derbi djeg shumë për Milanin dhe më tepër se për rezultatin, ka të bëjë me lojën e kuqezinjve në fushën e blertë. Skuadra e drejtuar nga Giampaolo e kishte të vështirë të ishte superiore ndaj Interit thuajse në çdo aspekt, teksa zgjedhjet e teknikut italian nuk arritën të bënin diferencën. Giampaolo është kritikuar shumë për zgjedhjet e tij taktike dhe njësoj si pas sfidës me Veronën, është Boban ai që në mënyrë indirekte i tërheq vëmendjen trajnerit të skuadrës. Boban u shpreh se si të gjithë tifozët, edhe ai është zhgënjyer shumë për atë humbje në derbi me Interin. Por më së shumti, ai shtoi se e vret fakti që Milani ende nuk ka bërë hapa përpara. Fjalë të ngjashme si ato të një jave më parë, ku Boban shprehej se priste që Milani të ishte përmirësuar ndjeshëm nga fundi i sezonit të kaluar.
Në fakt, shumë tifozë dhe analistë shohin të kundërtën, pasi me Gattuson, skaudra shfaqte grintë. Lënia jashtë e lojtarëve të afruar në merkaton e verës ka irrituar jo pak tifzoët kuqezinj, por ndoshta edhe drejtuesit e klubit, që nuk e kuptojnë pse Giampaolo ende nuk i inkuadron në fushë. Tekniku shprehej se lojtarët e rinj kërkojnë ende kohë për t’u përshtatur, por me atë që është parë deri më tani, sa herë që lojtarëve si Hernandez, Bennacer, Rebic apo Leao kanë zbritur në fushë, kanë qenë ndër më të mirët për Milanin. Sipas asaj që raportohet në mediat italiane, humbja e shëmtuar në derbi mund të kenë filluar të ngrejë dyshimet e para mbi Giampaolon. Boban e Maldini kanë shfaqur besim tek tekniku i tyre, por gjëra duhet të ndryshojnë sa më shpejt.