Milani nuk është nga ato skuadra që kanë bërë një merkato plot emra të mëdhenj. Përkundrazi, drejtuesit e kuqezinjve kanë afruar në skuadër lojtarë të rinj e me prespektivë, nga të cilët pritet shumë në të ardhmen. Kjo gjë ka ardhur edhe nga çështja e ‘fair-play financiar’ dhe marrëveshjes me UEFA, diçka që e ka pranuar edhe Zvonimir Boban. I rikthyer tek klubi ku shkroi historinë në kohën kur ishte futbollist, Boban tashmë ka një rol kryesor në ndërtimin e një skuadre që kërkon të rikthehet aty ku i takon. Boban foli për merkaton e Milanit, ku theksoi se si ai, edhe Maldini janë përpjekur të afrojnë emra të rinj e sa më cilësorë, të cilët mund të jenë efektivë për lojën e trajneri Giampaolo. Por ai pranoi se skuadra ka nevojë edhe për eksperiencë dhe forcë, diçka që mund të kërkohet edhe gjatë merkatos së janarit.
Më pas ai shpjegoi edhe spekulimet për një tratativë me Luka Modric, për të cilin nuk i ka kursyer asnjëherë elozhet. Boban tha se afrimi i një lojtari si Modric do të ishte absolutisht një blerje e jashtëzakonshme, por e vërteta sipas tij është se lojtari nuk ka dashur asnjëherë të braktisë Real Madrid, çfarë praktikisht i bënte tratativat të pamundura që pa nisur. Ndërsa sa i përket Correas, Boban zbuloi se ishte Atletico Madrid që në fund pengoi realizmin e transferimit të argjentinasit. Gjithashtu një problem kyç kanë qenë edhe kërkesat e larta ekonomike të ‘los rojiblancos’, ndonëse vetë lojtari kishte kërkuar me ngulm kalimin në Milano.