Ish-lojtari i Dortmund dhe Wolfsburg, Jakub Błaszczykowski, ka vendosur t’i japë një drejtim krejt ndryshe karrierës së tij, teksa është kthyer të luajë tek skuadra e tij e fëmijërisë, Wisla Krakow. 33-vjeçari ka vendosur ta bëjë këtë gjë falas, pra ka refuzuar të paguhet nga skuadra polake, që prej disa kohësh vuan vështirësitë financiare. Për t’i ardhur në ndihmë, Kuba jo vetëm që do të luajë falas, por do të dhurojë edhe 300 mijë euro nga llogaria e tij. Për më tepër, ish-lojtari i Dortmund ka siguruar edhe 2 donatorë të tjerë të vegjël, që do të ndihmojnë skuadrën në shlyerjen e pagave të lojtarëve.
Futbollistët e Wisla Krakow nuk marrin rrogat e plota prej disa muajsh, dhe Błaszczykowski po përpiqet të bëjë maksimumin për t’i ardhur në ndihmë skuadrës që e bëri të njohur në futbollin profesionist. Kuba ka luajtur për skuadrën polake për 3 vite, ku fitoi kampionatin dhe u shpall për 2 vite radhazi si lojtari më i mirë i sezonit. Në 2007-ën, në moshën 21-vjeçare, ai u transferua për 3 milionë euro tek Borussia Dortmund, me të cilën fitoi 5 trofe. Në javën e parë të janarit, Kubas i skadoi kontrata me skuadrën e Wolfsburg. 33-vjeçari refuzoi rinovimin, vetëm e vetëm për të dhënë kontributin e tij tek Wisla në këtë moment të vështirë për klubin polak.