Mattia Binotto është parë si emri i duhur për të drejtuar Ferrarin, duke qenë se lidhja e tij me ‘Formula 1’ dhe me markën italiane është mjaft domethënëse. Mirëpo edhe gjatë këtij sezoni, ‘kokëkuqja’ vazhdon të vuajë në luftën me kampionët e Mercedes. Madje Vettel dhe Leclerc rrezikojnë të humbasin edhe përballjen me Max Verstappen të ‘Red Bull’, që ka bërë mjaft mirë gjatë 4 garave të fundit. Binotto gjithësesi nuk duket i shqetësuar nga forma e pilotëve të Ferrarit dhe beson se si Vettel, ashtu edhe Leclerc do të vijojnë të japin maksimumin e tyre. Ndërsa sa i përket makinës, shefi i Ferrarit pranoi se skuadra e tij ka bërë një gabim në ndërtimin e shasisë. Sipas Binottos, marka italiane duhet t’i kishte dhënë më shumë rëndësi çështjes së forcës shtytëse, pasi gjatë këtij sezoni, makina ka treguar qartë se vuan në sektorët me kthesa që kërkojnë ndryshimin e shpeshtë të trajektores.
Forca shtytëse krijohet nga presioni i ajrit dhe forca e rëndesës, çfarë ndikon tejmase në shpejtësinë e makinës gjatë ndryshimit të trajektoreve, por edhe në balancimin e saj. Binotto zbuloi se për sezonin e ardhshëm, skuadra e tij do të përpiqet të jetë më e kujdesshme sa i përket aerodinamikës, teksa në vijat e drejta, shpejtësia e motorit Ferrari nuk duket të jetë problem, pasi në këtë aspekt, ‘kokëkuqja’ ka treguar gjithmonë një rendiment më të lartë se makinat e tjera. Ferrari ende nuk ka fituar asnjë garë gjatë këtij sezoni, por shefi i skuadrës italiane garantoi se do të jepet maksimumi që diçka e tillë të ndryshojë sa më shpejt, ndonëse ka zëra që thonë se sytë e inxhinerëve të Ferrarit janë nga sezoni i ardhshëm.