Binotto flet për ndryshimet në makinë dhe përplasjen Vettel-Leclerc

Sport

Vëmendjen e Ferrarit në garën e Brazilit e mori përplasja mes Vettel dhe Leclerc, që vazhdon të krijojë polemika në bokset e ‘Formula 1’. Por Mattia Binotto, drejtori i përgjithshëm i skuadrës italiane, ka folur së fundmi edhe për një fenomen interesant që tifozët vunë re tek makinat Ferrari në pistën braziliane. Bëhet fjalë për shpejtësinë në vijat e drejta, aty ku marka italiane dominon prej 2 apo 3 sezonesh. Në Brazil, njëvendëshet e Vettel dhe Leclerc nuk kishin të njëjtin potencial si në garat e kaluara dhe Mattia Binotto ka shpjeguar ndryshimet që kanë shkaktuar diçka të tillë. Siç zbuloi shefi i Ferrarit, makinat pësuan disa modifikime në sistemin aerodinamik, çfarë sigurisht ka ndikuar në shpejtësinë e ‘kokëkuqeve’ në vijën e drejtë. Por nëse shpejtësia në linja është reduktuar, Ferrari i është afruar nivelit të ‘Red Bull’ sa i përket kthesave.

‘Red Bull’ njihet prej shumë vitesh si skuadra me sistemin më të mirë aerodinamik, çfarë e bën makinën më të shpejtë dhe të balancuar nëpër kthesa. Ferrari duket se ka provuar të heqë dorë disi nga shpejtësia në linjat e drejta për të rritur performancën nëpër kthesa, diçka që sipas Binottos ka rezultuar të jetë e suksesshme.
Sa i përket përplasjes mes Vettel e Leclerc, Binotto u shpreh se e rëndësishme është që pilotët dhe skuadra të mësojnë nga gabime të tilla, pasi në një moment tjetër, ai kontakt mes dy makinave Ferrari mund të kishte kushtuar akoma më shumë. Gjithësesi, kjo mbetet një çështje që duhet marrë në konsideratë në të ardhmen, pas Leclerc ka dhënë shenjat e para se nuk do të jetë inferior ndaj Vettel në sezonin e ardhshëm.