Ai konsiderohet si një nga lojtarët më profesionistë dhe më të dalluar në fushën e blertë, cilësi këto që trajneri Pep Guardiola ja kujton të gjithëve sa herë që ka mundësi. Bernardo Silva është një nga lojtarët e preferuar të tifozerisë dhe të trajnerit të Manchester City, që nga momenti që portugezi u transferua nga Monaco. Edhe vetë Bernando duket se po kalon një moment të mirë në radhët e ‘cityzens’, por së fundi ai ka zbuluar një dëshirë të tij sa i përket të ardhmes. 25-vjecari u shpreh se kërkon që të luajë të paktën edhe njëherë të vetme tek Benfika, skuadra e tij e zemrës dhe klubi i parë që i besoi në karrierën si profesionist. Silva deklaroi se transferimi në të ardhmen tek kampionët në fuqi të Portugalisë do të ishte gjëja e duhur për të patur një karrierë të kompletuar tamam sipas mënyrës së tij. Lidhja që ai ka më klubin dihet prej kohësh, pasi edhe në kohën kur luante në radhët e Monacos, Bernardo Silva shprehej gjithnjë si i mungonin ditët në mjediset e Benfikës. Gjithësesi, për momentin lojtari thotë se është i përqëndruar për të përmbushur objektivat e tij tek Manchester City, ku portugezi synon të fitojë sa më shumë trofe madhorë. Njësoj si për klubin, edhe për Bernardo Silvan, trofeu i ‘Champions League’-ës mbetet synimi kryesor, ndonëse në sezonet e fundit, ‘cityzens’ nuk kanë patur shumë fat në rrugëtimet e tyre. Pavarësisht kësaj, Bernardo Silva beson se ekipi i Guardiolas tashmë ka fituar eksperiencën e duhur për të përballuar edhe sfidat e mëdha, ndonëse sipas tij në futboll asgjë nuk mund të parashikohet. Anësori portugez u formua në radhët e Benfikës, ndërsa në 2014-ën kaloi tek Monaco, fillimisht në formë huazimi. Që prej verës së vitit 2017, 25-vjecari është pjesë e ekipit të Pep Guardiolas, pasi ‘cityzens’ shpenzuan plot 50 milionë euro për të marrë kartonin e tij nga skuadra franceze.